22 Tetor, 2022 - 9:30 am
Artpolis vjen me dy aktivitete në Forumin e Grave, Paqes dhe Sigurisë
Në partneritet me Zyrën e Presidencës, Artpolis do të kontribuojë me dy aktivitete në edicionin e parë të Forumit të Grave, Paqes dhe Sigurisë (WPS) – iniciativë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.
Kontributi i Artpolis në një iniciativë kaq të rëndësishme për gratë dhe shoqërinë kosovare në ndërtimin e paqes është një angazhim me rëndësi të veçantë. Prandaj, Artpolis sjell dy aktivitete të aktivizmit artistik më 23 tetor, 2022 në Klan Arena:
· Panel ndërkombëtar “Roli i artisteve në ndërtimin e paqes” – ora 19:00-20:00
· Shfaqja teatrore “Toka e Shpirtrave të Trazuar” – ora 20:00 – 21:10.
Edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i kushtohet trashëgimisë historike të sekretares amerikane të Shtetit dhe mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright.
Albright vazhdon të jetë inspirim për shumë gra e vajza edhe në Kosovë, dhe sot kujtojmë ndër shprehjet e saj më të fuqishme si grua, “Mu deshtë kohë e gjatë ta kem zërin tim, dhe tani që e kam, nuk do të hesht”.
Forumi WPS vjen në një kohë kur paqja dhe siguria sulmohen në zemër të Evropës, ku gratë dhe vajzat janë sërish në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor. Qëllimi i Forumit është të sjellë liderë/e, ekspertë/e, akademikë/e, përfaqësues/e të shoqërisë civile, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat e paraqitura në agjendën e WPS gjatë këtyre kohëve të pasigurta.
Në Panelin Ndërkombëtar të Diskutimit “Roli i artisteve në ndërtimin e paqes” do të zhvillohet një diskutim i rëndësishëm me gra artiste e aktiviste nga vendi dhe rajoni, të cilat kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e paqes dhe thyerjen e barrierave në shoqëri.
Diskutimi synon të nxjerrë në pah rolin e grave artiste përmes angazhimit dhe punës së tyre në periudha të ndryshme për ndërtimin e paqes, dhe nismave të tyre për të kërkuar të vërtetën kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kontributit të tyre në drejtësinë tranzicionale.
Ndërtimi dhe ruajtja e paqes janë përgjegjësi sociale e secilit prej nesh dhe kërkojnë një angazhim të përditshëm. Prandaj, angazhimi artistik i grave ishte dhe është një formë thelbësore e reflektimit se si shoqëria jonë i qaset artit dhe jetës. Eksperienca artistike lë gjurmë te njerëzit, duke i ndihmuar ata të reflektojnë dhe ndryshojnë, duke shpresuar kështu gjithmonë t’i kthejnë në promovues të paqes.
Gjatë gjithë historisë, gratë artiste kanë promovuar me guxim rëndësinë e paqes dhe drejtësisë tranzicionale, duke e joshur publikun emocionalisht dhe shpirtërisht. Si të tilla, gjatë historisë, ato rrezikuan mirëqenien e tyre për të treguar solidaritet dhe rezistencë ndaj sistemeve diskriminuese.
Paneliste të këtij diskutimi janë:
• Hedwig Fijen // Holandë // Kuratore, këshilltare kulturore, Themeluese i Manifesta
• Rada Borić // Kroaci // Aktiviste për barazi gjinore dhe paqe, profesoreshë universiteti, redaktore
• Dijana Milošević // Serbi // Regjisore, shkrimtare dhe ligjëruese teatri
• Maja Mitić // Serbi // Aktore, regjisore, aktiviste
• Ema Andrea // Shqipëri // Artiste, aktiviste dhe pedagoge
• Blerta Zeqiri // Republika e Kosovës // Regjisore, dramaturge
• MODERATORE:
• Zana Hoxha // Republika e Kosovës // Artiste, aktiviste, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis dheFestivalit FemArt
Më 23 tetor, 2022 në Klan Arena do të prezantohet shfaqja teatrore “Toka e Shpirtrave të Trazuar”, që është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.
E shtrirë në një format unik eksperimental në shqip dhe anglisht, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.
“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.
Por, a është e mjaftueshme të jesh i lirë? A ka diçka përtej saj?
Autore: Shqipe Malushi
Regjia: Zana Hoxha
Dramaturgjia: Shpëtim Selmani
Koreograf: Robert Nuha
Aktorë/e: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Blend Sadiku, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi.
Kërcimtarë/e: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani
Soliste/ë: Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura
Kostumograf: Arbnor Brahimi
Videoprojeksionet skenike: Florian Canga
Asistente dhe organizatore: Elira Lluka
Skenografia: Arben Shala
Tonist: Arben Aliu
Ndriçimi: Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi
Mjeshtër skene: Aziz Maloku, Flora Hasani
Grimere: Myrvete Tahiri, Flora Hasani / KultPlus.com