Fjalori “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” nga Qerim Ondozi promovohet të mërkurën

24 Tetor, 2022 - 4:00 pm

Fjalori “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” nga Qerim Ondozi do të promovohet këtë të mërkure.

Cilat janë fjalët që përdoren më shpesh nga kosovarët? Cili është kuptimi i parë dhe i dytë që u jepet fjalëve dhe shkurtesave në Kosovë? Cilat janë elementet konotative, politike, historike e fetare të këtyre fjalëve? Çka është Amelika? Pse shkruhet me l dhe jo me r? Çka është situata? Ç’kuptim kishte kjo fjalë në vitet ‘90? Cila është fjala më e përdorur në Kosovë nga viti 1999 e këtej? Si e formëson kjo fjalë të shkuarën dhe të tashmen tonë? Këto janë disa nga temat që i shtjellon fjalori “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” nga Qerim Ondozi.

Ky fjalor i ilustruar bashkon disa nga fjalët dhe shprehjet më të (keq)përdorura kosovare në 50 vitet e fundit, që i japin ngjyrë historisë së re të Kosovës, e që formësuan të kaluarën tonë dhe vazhdojnë të formësojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Promovimi i librit do të përcjellet nga një orë mësimi me Alketa Sylaj dhe Tristan Halilaj.

Promovimi i fjalorit “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” bëhet më datë 26 tetor, ora 19:00 te Menza Ramiz Sadiku në Pejton.

Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës Heritage Space e cila implementohet nga CHwB Kosova dhe financohet nga Qeveria Suedeze dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. / KultPlus.com

Të ngjajshme