Kreatorja Besarta Deshishku prezanton koleksionin e saj të parë (FOTO)

8 Mars, 2018 - 10:05 pm

Gili Hoxhaj

Prishtinës nga sonte iu shtua edhe një dyqan mode. Besarta Deshishku është emri premtues në dizajnin e modës që sonte prezantoi brendin e saj ndërsa përuroi edhe lokalin e ri, ku vizitorët mund të shkojnë dhe të gjejnë veten në kreacionet e saj.

Sonte në mesin e të afërmve e vizitorëve ajo shënoi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj prej kreatoreje. Veç kësaj, kjo datë shënon tri arsye feste për Besarta Deshishkun, në ditën e gruas dhe në ditëlindjen e saj ajo po shënon një sukses të madh duke sjellë koleksionin e saj të parë me emrin “Besarta Deshishku”.

Ky koleksion përmban veshje të ndryshme për gratë, që nga ato më elegante e deri tek ato më të përditshme, e kjo reflektohet edhe nga ngjyrat e këtyre veshjeve, që nga ato me ngjyrë më të errët, shumëngjyrëshe e deri tek ato më të ndritshme dhe me elemente vezulluese. Xhamat transparent të këtij lokali e muzika që vinte prej aty ishin një ftesë për të hyrë dhe për ta gjetur stilin tënd në stilin e veçantë të kreacioneve të Besarta Deshishkut.

Babai i saj, Hashim Deshishku ishte ai që hapi këtë mbrëmje dhe tha se ndihet tejet i lumtur që Besarta sonte arriti ta jetësojë ëndrrën e saj, ndërsa i uroi edhe më tutje suksese në punën që do ta prezantojë. Me duartrokitje dhe urimet më të mira e përcollën edhe të pranishmit e tjerë, që kishin ardhur për t’u njoftuar me lokalin dhe kreacionet e Besartës.

Besarta Deshishku sonte në ditëlindjen e saj solli koleksionin e parë, por dëshira dhe pasioni për modën e kishin përcjellë në shumë vite e ditëlindje të mëhershme.

Tek ajo me vite ishte rritur dashuria dhe pasioni për modën dhe artin, derisa si fëmijë vizatonte fustane. Ajo tregoi për KultPlus se është rritur në një familje ekonomistësh, ndërsa edhe ajo kishte filluar ta ndjek këtë traditë familjare. Për ta ushqyer pasionin e saj, ajo fillon ta ndjekë një kurs mode, i cili ia kishte dëshmuar që ajo ishte e lindur për këtë punë. Këtij profesioni ajo iu përkushtua edhe më shumë me studimet të cilat i përfundoi në “Accademia Italiana – Art, Fashion & Design” në Romë të Italisë.

Sot është dita kur Besarta e kurorëzon gjithë punën e saj intensive për gjashtë muaj. Ajo tregon se pas studimeve për një kohë të gjatë ka ndaluar në fushën e dizajnit, për t’iu përkushtuar familjes, ndërsa thotë që as vetë nuk e ka pritur që puna drejt hapjes së lokalit do të ecën me një ritëm kaq të shpejtë dhe do të finalizohet në këtë mënyrë siç u prezantua sonte.

“Pas studimeve nuk kam qenë shumë e përkushtuar pas punës, për shkak se iu kam përkushtuar më shumë rritjes së djalit. Edhe pse nuk e kam menduar që hapja e lokalit do të ndodhë kaq herët, tashmë mendoj se është momenti i duhur dhe shpresoj që edhe tregu të jetë i kënaqur me mua dhe po ashtu dhe unë me tregun”u shpreh kreatorja e re Besarta Deshishku.

Brendi i saj momentalisht përmban vetëm veshje për gra dhe vajza ndërsa aty gjejmë veshje të stinës së pranverës dhe verës, ndërsa më të shpeshta janë veshjet pranverore. Besarta tregon se së shpejti do t’i shtohen edhe më shumë veshje verore. Veçantia e saj si kreatore është se në veshjet e saj përveç fustaneve, mund të gjenden edhe shumë veshje me të cilat mund të nisesh në ngjarje më të zakonshme e deri në ato më glamuroze.

“Pavarësisht që i dua shumë edhe fustanat, unë jam përkushtuar edhe në veshje të zakonshme pasi që momentalisht kemi shumë dizajnerë të fustaneve. Unë jam e dhënë më shumë pas veshjeve të zakonshme dhe që kanë punë pak më shumë”, tregon ajo.

Besarta Deshishku është një adresë ku çdokush mund të shkojë dhe të gjejë stilin e vet pasi veshjet e saj janë të dizajneve të ndryshme. Lokali i saj gjendet në Prishtinë, me konkretisht në lagjen “Tophanja”, në rrugën Murat Mehmeti nr.58 . / KultPlus.com

Të ngjajshme