Akademiku Nazim Gruda zgjidhet në Komitetin e Bashkimit të Akademive Europiane

31 Tetor, 2022 - 5:00 pm

Akademiku Nazim Gruda është zgjedhur në Komitetin Drejtues të Bashkimit të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës.

Certifikata për zgjedhjen e akademikut Grudës në Komitetin Drejtues të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (UEAA), si vrojtues, është firmosur nga presidentja e Bashkimit të Akademive Europiane, bashkë me raportin nga asambleja e përgjithshme, ku përmendet zgjedhja e përfaqësuesit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Me statusin e vëzhguesit janë edhe akademitë e Spanjës, Portugalisë dhe Britanisë së Madhe.

Si presidente e UEAA-s u zgjodh akademikja Elena Horska nga Sllovakia dhe si zëvendëspresident akademikja Ioan Jelev nga Rumania.

Me këtë rast akademiku Gruda ka paraqitur propozimet për bashkëpunime për vitin 2023.

UEAA u themelua në vitin 1999 në Itali, ndërsa asambleja e parë u mblodh një vit më vonë. Bashkësia e objektivave dhe nevojës për shkëmbim e koordinim të UEAA janë në një linjë me strategjinë europiane për të ardhmen e kërkimit në Evropë (ERA), të tilla si rrjetëzimi i kapaciteteve ekzistuese, bashkërendimi e bashkëpunimi, kërkimi ndërdisiplinor, kërkimi në mbështetje të politikëbërjes së komunitetit në fushat ku ka pasiguri dhe rreziqe.

Si rezultat i përfaqësimit të akademikut Gruda edhe Akademia e Kosovës u bë para disa kohësh anëtare e UEAA./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme