“Way To Go” bashkon adoleshentët në një stil jetese të shëndetshme

17 Nëntor, 2022 - 11:14 am

Fondacioni UTALAYA po sjell projektin e radhës të titulluar “Way to Go” e i cili do të zgjasë 6 muaj. Projekti ka  për qëllim të bashkoj adoleshentët në një stil jetese të shëndetshme, duke promovuar aktivitetin fizik, ciklizmin, ecjen, natyrën, punëtori me ndikim në mjedis si dhe tolerancën ndëretnike, përcjell KultPlus.

Aktiviteti i së dielës ku edhe nis projekti, më 20 nëntor, është Ciklizmi, ku organizatorët kanë mbledhur disa adoleshentë nga të gjitha komunitet etnike të Kosovës, duke ju siguruar biçikletat dhe shëtitjen në Gërmi në shoqëri me Uta Ibrahimin, e cila do të bëj edhe këshillimin që të përdoret biçikleta sa më shumë, si dhe të ju shpjegoj atyre të mirat që sjell natyra në jetën tonë.

Aktiviteti i datës 20 nëntor 2022, fillon në ora 11:00 tek “rampa” e Germisë.

Më poshtë disa fjalë rreth projektit “Way to Go”

Projekti “Way to Go” ka për qëllim të bashkoj adoleshentët në një stil jetese të shëndetshme, duke promovuar aktivitetin fizik, ciklizmin, ecjen, natyrën, punëtori me ndikim në mjedis si dhe tolerancën ndëretnike.

“Ne po përpiqemi të ndërtojmë komunikimin mes të rinjve të moshës 15-19 vjeç që i përkasin komuniteteve të ndryshme etnike në Kosovë (shqiptarë, serbë, romë, ashkali, egjiptianë, turq, boshnjakë, goranë etj.) Ne kemi organizuar një spektër të gjerë aktivitetesh që janë edukative dhe gjithëpërfshirëse me ndikim në mirëqenien e përgjithshme të adoleshentëve multietnikë. Aktivitete do të mbahen në qytetet si Prishtina, Mitrovicë e Veriut, Kamenicë, Brezovicë dhe Pejë. Për të inkuadruar sa më shumë adoleshentë ne kemi gjet mbështetjen e pa rezervë nga disa Organizata Jo Qeveritare që punojnë me adoleshentë që kanë prejardhje të ndryshme etnike, dhe kështu jemi gati që këtë vit ta përmbyllim duke filluar realizimin e projektit tonë gjithëpërfshirës.

Përmes Logos i kemi dhënë identitet  projektit  “Way to Go” dhe shpresojmë të ju pëlqej, ndërsa në ditët në vazhdim, përgjatë fillimit të aktiviteteve, përmes TV dhe mediave sociale do të shfaqim foto & video që promovojnë sportin, aktivitetet në natyrë, paqen dhe tolerancën”, thuhet në njoftim.

Projekti “Wey to Go” implementohet nga Fondacioni UTALAYA dhe mbështetet nga UNMIK. / KultPlus.com

Të ngjajshme