Nga ideja deri te realizimi, Samir Karahoda rrëfen sfidat dhe rrugëtimin e filmave ‘Në mes’ dhe ‘Pa vend’

17 Nëntor, 2022 - 8:00 pm

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen ‘Nata e Filmit’, ogranizuar nga ETEA, mbrëmë u shfaqën dy filmat e metrazhit të shkurtër ‘Në mes’ dhe ‘Pa vend’ të regjisorit Samir Karahoda, e ku më pas publiku pati mundësini të dëgjojë rrëfimin e regjisorit për rrugëtimin e këtyre dy filmave që nga realizimi por edhe historikun e tij në fushën e filmit dhe fotografisë.

Për publikun që kishin zënë vend në Qendrën për Edukim dhe Kulturë ‘LIBART, Samir Karahoda, rrëfeu zanafillën e lidhjes së tij me filmin e në veçanti me fotografinë, profesion të cilin ai e mori si një fëmijë 15-vjeçar ku u punësua si fotograf në një dyqan në Prizren, përcjell KultPlus.

“Më pas duke e parë që doja të mësoja gjëra të reja, në vitin 1998 kam shkuar në Stamboll ku edhe kreva një kurs për fotografi e atje kam qëndruar deri në vitin 2003’, u shpreh Karahoda.

Karahoda foli po ashtu edhe për filmin e tij ‘Në mes’, film ky i cili është prodhim autentik i Kosovës, dhe që trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes, kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

“Fillimisht e kam bërë një projekt të fotografisë në vitin 2011. Pas një kohe kam shkuar në Stamboll dhe ia kam treguar njërit prej profesorëve atje, edhe atij i pëlqy shumë si koncept, koncepti i kësaj tradite dhe ai më tha pse nuk po hyn pak më thellë për me i hulumtu më shumë personazhet sepse ka shumë elemente antropologjike të cilat munden me u përdor edhe si studim në të ardhmen. Në vitin 2017 vendosa t’i vizitoj disa familje dhe të bisedoj me ta dhe kur fillova të flas me ta, doli një tregim komplet tjetër, përveç kësaj tradite doli edhe tema e emigrimit sepse e pashë që ngado që shkoje vetëm një person kishte mbetur në shtëpi, ose prindërit ose vetëm fëmija më i vogël.”, tha Karahoda i cili shtoi se realizimi i këtij filmi i ka zgjatur për afro dy vjet.

Ndërkaq ai u pyet edhe për filmin ‘Pa vend’, i cili po ashtu u shfaq mbrëmë para publikut, e që trajton brengën e ekipit të Ping-pongut në Kosovë, ekip që është pa shtëpi që nga viti 2004.

“Unë këtë ngjarje e di që nga viti 2004, ky ekip prej vitit 2004 e ka këtë problem dhe trajneri ka shkuar që nga viti 2004 te secili kryetar komune në Prizren, e ndoshta mund të bëhet një film akoma më i mirë se ky, sepse ai trajner e ka një histori të jashtëzakonshme.”, u shpreh regjisori.

Regjisori ndër të tjerash foli edhe për mënyrën e realizimit të filmit. Ai po ashtu tregoi se pse në filmin ‘Pa vend’ ai ka përdoru formatin 1:1.

‘I kam bërë disa teste të formateve, sepse kam qenë në dilemë, por formati 1:1 është përshatur më shumë sepse i gjithë fokusi po bie pikërisht në personazhet’, u shpreh regjisori Karahoda duke dhënë detaje për filmin që i mori shtatë muaj kohë deri në realizim.

Filmi ‘Në mes’ dhe ‘Pa vend’ patën një sukses të jashtëzakonshëm edhe në fushën ndërkombëtare duke u shfaqur në festivale të njohura të filmit si në Berlinale, në Festivalin e Kanës, në Sundance, e në shumë festivale të tjera të filmit.

E historinë e gjithë këtij rrugëtimi ndërkombëtar, Karahoda e ndau me pjesëmarrësit në këtë diskutim.

“Ka shkuar producenti në Gjermani e atje ka qenë një lloj ndihme për projektet që kanë mbetur në gjysmë, për të gjetur mjete me i përfundu, e në atë komision ka qenë edhe selektorja e Festivalit të Berlinit, edhe pasi i ka parë disa nga fotografitë e filmit ‘Në mes’, pas tre viteve ajo na ka kërkuar që të aplikojmë zyrtarisht për t’u bërë pjesë e festivalit”, deklaroi Karahoda.

Kurse për përzgjedhjen që iu bë filmit ‘Pa vend’ në Kanë, regjisori thotë se ka përjetuar një emocion shumë të madh pasi e kanë telefonuar nga festivali për ta konfirmuar përzgjedhjen./ KultPlus.com

Të ngjajshme