18 Nëntor, 2022 - 6:34 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi 6 botimet më të reja studimore, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.
Promovimi i këtyre botimeve u zhvillua pasditen e sotme në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, në punimet e Panairit Kombëtar të 25-të të Librit “Tirana 2022”. Të pranishëm në ceremoni ishin kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, anëtarë të Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), përfaqësues nga Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH) dhe nga ASHAK-u, si dhe arkivistë e studiues të fushave përkatëse.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido, i cili moderoi edhe diskutimin në tryezën e përbashkët, nënvizoi se kemi të bëjmë me një rikthim të DPA-së në funksionin e botueses pas një periudhe të gjatë mungese, duke shtuar se duke nisur nga ky vit, botimet do të jenë periodike.
“Falënderoj të pranishmit dhe profesorët e nderuar, të cilët janë pjesë jona e pandashme. Pas një munguese të gjatë, i rikthehemi botimeve dhe kemi vendosur që të ketë 5 botime të përvitshme dhe cilësore në fushën e historiografisë. Botimet që prezantojmë sot trajtojnë përvjetorë të rëndësishëm të një game të gjerë, të personaliteteve apo të ngjarjeve historike. Falënderoj anëtarët e Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), që kanë qenë në pararojë për të garantuar cilësinë e produktit final. Po ashtu, sjellim numrin e radhës të revistës “Arkivat Shqiptare”, që përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve në mbarë trojet shqiptare, të realizuara në Konferencat Mbarëkombëtare të Arkivistikës”, tha Bido.
Pesë prej punimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e studimeve të kryera nga hulumtues të periudhave të rëndësishme apo të figurave me kontribut në historinë e vendit.
Punimet janë: “Misionet aleate në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore 1943-1944”, “Kongresi i Beratit dhe Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare”, “Justin Godarti përmes dokumenteve arkivore”, “Marrëdhëniet e ish-Partisë së Punës së Shqipërisë me partitë komuniste dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë ‘Bllokut komunist’” dhe “100-vjetori i themelimit të Muzeut Kombëtar, 1922-2022”.
Përkatësisht, këto punime janë realizuar nga bashkautorët dr. Endrit Musaj dhe dr. Lorenc Agalliu, prof. asoc. dr. Bido dhe Myrteza Sharra, Gjergj Totozani, Armando Boçe dhe Arbër Bilbili, Elsa Saka dhe dr. Dorian Koçi.
Për të gjashtin vit radhazi, bashkëpunimi mes DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kurorëzohet me botimin e numrit të radhës së revistës “Arkivat Shqiptare”. Ky publikim, që është i vetmi në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, i mundëson çdo arkivisti apo të interesuari që të thellohet në disiplinën e arkivistikës, si shkencë të mëvetësishme nga historia apo shkencat e tjera të përafërta. Në fjalën e rastit, kryeshefi i ASHAK-ut, Zyberaj, vlerësoi bashkëpunimin me DPA-në dhe tha se synimi i kësaj reviste është të bëjë bashkë hulumtuesit për të shqyrtuar çdo vit ngjarje historike, si edhe problematika apo prakika të përbashkëta të dy institucioneve arkivore.
Botimet e prezantuara së fundmi, të gjashtë numrat e revistës arkivore dhe të tjera publikime të mëparshme me tematika të rëndësishme historike, do të gjenden në stendën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), deri në mbyllje të panarit, ditën e diel, më datë 20 nëntor. Më herët këtë vit, DPA-ja u bëri thirrje studiuesve për të marrë pjesë në botimet e parashikuara përgjatë vitit 2023, duke iu propozuar një larmi temash në rrafshe të ndryshme të veprimtarisë publike. /atsh/KultPlus.com