21 Nëntor, 2022 - 5:15 pm
Filmi kosovar “Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare, do të ketë premierën edhe në “Balkan Film Festival” në Romë, shkruan KultPlus.
“Të dashur miq në Romë,
Vera Dreams of the Sea shfaqet javën e ardhshme në kuadër të Festivalit Ballkanik të Filmit në Romë.
Ky festival tash e disa vite ka shërbyer si platformë për promovimin e filmave dhe kineastëve të rajonit tonë.
Regjisorja jonë Kaltrina Krasniqi do të jetë aty për të prezantuar filmin”, thuhet në njoftim.
“Vera andrron Detin” ka fituar dy çmime në Festivalin e Venedikut përveç kësaj ky film ka arritur të marr shpërblime në festivale të tjera si në Festivalin e Filmit në Wiesbaden, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Forumin për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio të Japonisë e shumë të tjerë.
Sa i përket ngjarjes së filmit, Vera është një përkthyese e gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila bën një jetë të mirë: një grua me një gjykatës të famshëm, një nënë mbështetëse dhe një gjyshe të kujdesshme. Paqja e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e të shoqit e ndjekur nga një paradë e padëshiruar, kërcënuese e të afërmve që pretendojnë pronësinë e shtëpisë së familjes së tyre në fshat. Kur fillesat e një skeme të botës së krimit fillojnë të dalin në sipërfaqe, bota e Verës do të përballet me rrezikun dhe do të duket e gatshme të shembet. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën të marrë në duart e saj fatin e familjes.
Filmi është me skenar nga Doruntina Basha dhe me producent Shkumbin Istrefi. Aktorët në rolin kryesor janë Teuta Ajdini Jegeni, Astrit Kabashi dhe Alketa Sylaj.
Kjo përrallë tërheqëse, si thriller nga regjisorja Kaltrina Krasniqi është “e mbushur me një atmosferë ogurzezë… [është një] debutim i mrekullueshëm, prekës dhe i interpretuar në mënyrë të shkëlqyer… Vera, e luajtur sinqerisht dhe pa frikë Teuta Ajdini, është në ekran pothuajse çdo moment, cilido qoftë një arritje pasi pak filma marrin një grua nga kjo fazë e veçantë e jetës dhe klasës shoqërore si heroinë të tyre… Kjo histori e nuancuar, nervozuese [është] po aq një portret personazhi, aq edhe një film kritik shoqëror”, shkruan Variety.
Festivali do të mbahet nga 29 nëntor deri më 04 dhjetor në Romë (Casa del Cinema). / KultPlus.com