24 Nëntor, 2022 - 11:53 pm
Era Berisha
Një komedi e zezë rreth dëshirës, fantazisë dhe dashurisë sonte ka vu këmbë në skenën e teatrit ‘Dodona’. Premiera e shfaqjes së ardhur nën emërtimin “Venus” ka shpalosur historinë e aktores Vanda Xhordan dhe regjisorit-dramaturgut Tomas Novaçek, një histori kjo që nëpërmjet situatave dhe relacioneve të ndryshme që në thelb trajtojnë aspektin psiko-social, flet shumë për emblemën e të mos ndaluarit së kërkuari atë për të cilën njeriu ka nevojë thellë në brendësinë e tij, shkruan KultPlus.
Gjithçka nisi fiks në orën 19:41 me zbehjen e dritave deri në errësirë. I kthyer me shpinë nga publiku që pothuajse ka mbushur sallën plot, qe aktori Besart Zeneli i cili me një cigare në dorë, hedh hapin e parë drejt një shfaqjeje që zgjati gjithsej një orë e gjysmë. Me meloditë që shpeshherë vijnë në momentin dhe kohën e duhur, nis loja e tij e personazhit të Tomas Novaçek.
Novaçek me një telefon në dorë nis e ankohet për numrin e pamjaftueshëm të aktoreve që ishin paraqitur tek ai në audicion për të interpretuar rolin kryesor, Vanda (Valmira Hoti). Asgjë nuk ishte në favorin e tij atë natë dhe dukej se gjithçka po shkonte si mos mëkeq. Por, në minutën e fundit, personazhi i aktores Vanda (Wanda) shfaqet si një shpresë që pothuajse po fikej nga çasti në çast.
Është një shfaqje e rrallë e regjisorit dhe dramaturgut Novaçek i cili fillimisht nuk e vë në dyshim që Vanda është thjesht një tjetër aktore që nuk e njeh tekstin, nuk i ka bërë “detyrat e shtëpisë” dhe ashtu si në përditshmëri, është po aq vulgare edhe në interpretim. Nën aktrimin e mrekullueshëm të Hotit, personazhi i Vandës arrin të na befasojë tej mase.
Në jetën reale ajo është thjesht një grua që e thotë çka do që i bie në mend, por shumë shpejt shpërfaq talentin e saj në interpretimin e rolit kryesor. Me një qëndrim ndryshe, zë sensual, veprime që i shkojnë për shtat rolit kryesor që po e kërkon vetë regjisori, Vanda arrin të bind regjisorin që ta pranojë si aktore për rolin kryesor në shfaqjen e tij. Por, nuk mjafton thjesht me kaq.
Bazuar në romanin e vitit 1870, “Venus in Furs” të autorit austriak Leopold Ritter von Sacher-Masoch, shfaqja “Venus” nën përkthimin e Qerim Ondozit, tregon për anët e errëta të mazokizmit si një nga ndjenjat që prek thellë psikikën e njeriut, asisoj që të dëshirojë të përjetojë ndjenjën e poshtërimit dhe dhunës apo torturave fizike në mënyra të ndryshme.
Në anën tjetër është vetë personazhi i Tomasit ai që ngadalë joshet nga Vanda, e cila nëpërmjet mënyrave të fshehta të saja të cilat vetëm ajo i di, e bind atë që të luajë rolin tjetër përkrah Vandës. Pra, ai lexon pjesën e personazhit të Severin von Kushemskit përkrah Vandës dhe kësisoj radhazi ndodhin shumë dinamika përbrenda çdo leximi të tekstit. Teksa rrufetë e bubullimat gjejnë vendin e tyre jashtë dritares, Vanda dhe Tomasi interpretojnë rolet e tyre karshi njëri-tjetrit. Tanimë, është vetëm një fije e perit ajo që e ndan realitetin nga loja aktoreske mes tyre.
Reflektorët në ngjyra diversive në skenë janë një sinjal i dukshëm për ndodhitë serioze të nënshtrimit dhe dominimit që rolet e tyre ia bëjnë njëri-tjetrit, por që vetëm njëri nga ta arrin ta fitojë atë ndjesi që pothuajse i përket brendësisë së tyre shpirtërore. “Venus” është një komedi misterioze, qesharake dhe erotike që vjen si një mbizotërim mbi bilancin e fuqisë që posedon një qenie njerëzore.
Regjisori i shfaqjes “Venus”, Bashkim Ramadani ka arritur që nëpërmjet skenografisë të mrekullueshme e tejet të veçantë nga Burim Arifi dhe kostumografisë nga Blendina Xhema, të sjell një histori që kalon përtej një teatri brenda teatrit.
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisori Bashkim Ramadani.
“Shfaqja nuk flet vetëm për aspektin e fitimit të një roli në skenë apo teatër apo vetëm për një vend të punës por edhe më gjerë, ngaqë këto raporte mes njerëzve janë prezente në gjithë shoqërinë tonë. Si në çdo vend të punës, ballafaqohet një ekonomiste, një infermiere e të tjerë. Koncepti regjisorial nuk ka ik shumë prej konceptit të cilin e prodhon teksti. Mënyra e vendosjes zhvillohet në një hapësirë teatrore, domosdoshmërisht apo një studio teatri. Me vullnetin tim, nuk kam dashur t’i ik atij aspekti. Me punën e aktorëve jam shumë i kënaqur dhe aq sa jemi marr vesh për të bërë, është arritur”, ka thënë ai.
Ndërsa, aktorja Valmira Hoti është shprehur tejet e lumtur me rezultatin e shfaqjes, teksa ka thënë se është dashuruar menjëherë pasi që e ka parë tekstin.
“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur këtë rol. Fillimisht kur e kam lexuar tekstin, menjëherë jam dashuruar në të dhe çdo gjë ka ec shumë këndshëm. Besoj që edhe sot, duke u bazuar në mënyrën se si publiku e priti, gjithçka ka qenë bukur. Është shumë interesant, sepse nganjëherë tekstet nuk të tërheqin menjëherë por ky tekst nuk doli ashtu, ngaqë u thellova shumë në të. Besoj që e kam arritur atë që e ka paraqitur autori. Në anën tjetër, bashkëpunimi ka qenë tejet i mirë. Teksti në këtë gjuhë është krijuar asisoj që të paraqitet një përditshmëri e jona më reale, dhe kjo ka qenë përzgjedhje e regjisorit”, thotë Hoti.
Po ashtu, aktori Besart Zeneli e ka cilësuar bashkëpunimin me partneren dhe regjisorin, si shumë të bukur, por ai që i ka bërë bashkë ata, ka qenë teksti i mrekullueshëm.
“Bashkëpunimi me partneren është shumë i rëndësishëm, sidomos kur duhet ta ndash skenën me të, për një orë e gjysmë, pa hyrje dhe dalje. Kam kaluar shumë mirë me kolegen si dhe regjisorin, pastaj ajo që na ka bashkuar ka qenë teksti. Teksti është shumë i mirë dhe tejet interesant, herë psikologjik e herë sipërfaqësor por ka shumë domethënie e tematika të ndryshme. Në fakt, vetë teksti si tekst ka shumë guxim. Provat dhe përkushtimi e kanë bërë të vetën, dhe më e mira është ajo energjia në ekip që na ka ndihmuar shumë”, ka thënë Zeneli.
Gjithashtu, sipas regjisorit Kushtrim Mehmeti, kjo shfaqje pati gjithçka nga pak, kësisoj edhe gjithçka ka qenë në vendin e duhur në mënyrë të duhur.
“Më ka bërë shumë përshtypje mënyra e vendosjes së aktorëve në skenë, përveç shfrytëzimit të skenografisë. Pati pamje tejet të bukura dhe u trajtua në një formë regjisoriale ku pati gjithçka nga pak. Shfaqja na dhuroi një vizion të mirë, formë të mirë dhe studio që fillimisht ke një studio e një regjisori e pastaj u shndërrua edhe në kopsht dhe gjithçka tjetër që mundet me pas një zonë e zotërave të antikës. Më pëlqeu shumë mënyra se si regjisori i ka shfrytëzuar elementet që ishin në skenë si shtrati, tavolina. Një teatër minimalist në dukje por në anën tjetër pati shumë gjëra totale. Gjithashtu pati edhe raport, relacion e emocion. Mënyra e lojës së aktorëve po ashtu më la mbresa të mëdha. Gjithçka ke e vendosur në mënyrë të duhur”, thotë ai. / KultPlus.com