26 Nëntor, 2022 - 3:04 pm
“Përmes lentes të leximit” është një ekspozitë fotografike, e cila synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e leximit për brezin e ri përmes lenteve të aparatit fotografik.
Fotografitë janë letra artistike të printuara bardh e zi në përmasa të ndryshme. Fotografi Dauti prezanton magjinë e të lexuarit përmes objektivit të aparatit të tij. Protagonistët janë njerëz të zakonshëm të cilët bashkohen në një proces të përbashkët, atë të leximit, të vjetër sa vetë koha. Çdo individ e përjeton procesin në mënyrë unike duke u lidhur me pjesët më intime të shpirtit të tij.
Në një kohë kur të rinjtë, përveç teksteve shkollore, janë kryesisht të fokusuar te pajisjet elektronike, kjo ekspozitë vjen si një ftesë për të sfiduar trendet e momentit dhe për t’u rikthyer te leximi i librave.
Një event kulturor ku kombinohen forma të shumta arti si fotografia, muzika, leximi i poezive nga Ema Andrea, librat në rafte dhe ekspozita virtuale për ata që do ta ndjekin virtualisht.
Ky event kulturor synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e leximit tek të rinjtë dhe përfshirjen e tyre aktive në aktivitete kulturore që lënë gjurmë dhe gjenerojnë angazhim dhe veprim në shoqëri.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 26-27 nëntor në ambientet e shtëpisë muze “Ismail Kadare” dhe Qendrës Kulturore “Tulla”.
Fotografitë e ekspozitës janë përzgjedhur pa kohë dhe pa fytyrë për të treguar se leximi është njëkohësisht një zakon sa i vjetër dhe aktual. Ato përfaqësojnë virtytin e leximit si një proces që lejon kontaktin me pjesën më të pastër të shpirtit. Në ekspozitë, fotografitë ndryshojnë në ide dhe mesazhe. Çdo vizitor mund të gjejë diçka për të nxitur një emocion. /atsh /KultPlus.com