12 Mars, 2018 - 1:46 pm
Gili Hoxhaj
Mbrëmë në Kishën Katolike “Shën Ndou”, kori i Filharmonisë së Kosovës solli premierë disa vepra të epokave të ndryshme. Kjo për të treguar që Kori i Filharmonisë së Kosovës ka arritur nivelin e duhur artistik, pas pesëmbëdhjetë vitesh nga themelimi, shkruan KultPlus.
Derisa të gjithë vizitorët kishin zënë vend në ulëset e Kishës, anëtarët e korit me veshjet e tyre ngjyrë të kaltër të mbyllët vijnë dhe rreshtohen në shkallët e kishës. Pranë tyre vjen dirigjenti brazilian, Marcio Da Silva, e që nën dirigjimin e tij, kori do të qëndroj pa lëvizur për më shumë se një orë. Veprat e epokës së Barokut, Renesancës dhe vepra moderne, jehuan përmes zërit të tyre. Ata, pranë publikut, sollën veprat e kompozitorëve si: Heitor Villa-Lobos, Alessandro Scarlatti, José Maurício Nunes Garcia, Pierre Passereau, Ola Gjeilo, Imant Raminsh dhe kompozitorit shqiptar, Hajrullah Sylës.
Kori mbrëmë shënoi koncertin e parë për këtë vit. Në interpretimin e korit vërehej një përjetim i rrallë i veprave. E njëjta gjë reflektohej edhe tek dirigjenti që ata e kishin përballë. Sako e tij shpesh ngrihej nga duart që shtriheshin lart, e me shpejtësi të jashtëzakonshme lëviznin aq sa shtrihej kori. Pas secilës vepër, duartrokitjet e publikut e kthenin fytyrën e tij përballë tyre, për t’i dhënë buzëqeshje e përkulje falënderimi. Marcio Da Silva kishte qenë edhe herë të tjera në skenë së bashku me Filharmoninë e Kosovës. Ai herën e parë kishte dirigjuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa herën e dytë që kishte ardhur kishte dirigjuar korin së bashku me orkestrën e Filharmonisë dhe tani po kthehej për të tretën herë, për të dirigjuar Korin e Filharmonisë së Kosovës, në të 15-in vit të rrugëtimit të tyre artistik.
Ai tha për KultPlus, se është ndjerë shumë i kënaqur me korin sonte ndërsa shtoi se ata ishin shumë të saktë dhe të hapur ndaj punës së tij, sado që është e vështirë për korin të punojnë me dirigjent të ndryshëm dhe që të mësohen t’i bëjnë gjërat varësisht nga teknika e punës së dirigjentit.
“Arsyeja përse ata më kanë ftuar këtu sonte është se Filharmonia e Kosovës do të udhëtoj në Angli gjatë muajit maj dhe kjo është edhe një mundësi e mirë për mua që të njihem më shumë me ta, para se ata të vijnë atje. Mua më pëlqej programi i sotëm dhe ishte program mjaft tërheqës edhe për korin, për mua ishte hera e parë që kam punuar me veprën e Gjeilos, që ishte shumë interesante me kuartetin harkor dhe me piano. Unë shpresoj që do të vij përsëri në të ardhmen sepse mënyra se si më presin njerëzit këtu është e mrekullueshme, po ashtu publiku është shumë i ngrohtë dhe reagimi i tyre sonte ishte i mahnitshëm”, u shpreh dirigjenti Da Silva.
Këtij koncerti nuk i munguan as veprat vokalo-instrumentale si vepra “Kënga e Rexhës” e kompozitorit shqiptar, Hajrullah Syla dhe “Miisa Breviz” e Imant Ramnish. Pasi kori nën dirigjimin e Marcio da Silva, solli katër vepra.
Tenori Luan Durmishi, u shkëput nga kori për të interpretuar si solist veprën e njohur “Kënga e Rexhës”, pranë tij erdhi edhe violinisti Festim Fanaj. Që nga tingulli i parë, e deri në fillimin e veprës, tek publiku vërehej një ndjesi e veçantë e përjetimit. Kjo këngë e njohur në kulturën tonë, që mbrëmë erdhi e kompozuar nga Hajrullah Syla, dukej që mori publikun me vete në çdo notë, tingull, e fjalë të interpretimit. Sytë e Luan Durmisht qëndrojnë të mbyllur, para se zëri i tij fillon ngadalë të jehojë brenda tërë ambientit, ku do të fuqizohej edhe me përcjelljen e korit, e interpretimin e violinistit Fanaj. Reagimi i publikut, që nga fillimi i saj e deri tek mbarimi e dëshmonte që kjo vepër, e ky interpretim ka arritur qëllimin ku vepra kishte marrë publikun me vete.
Tenori Luan Durmishi, thotë se këtë vepër e ka eksploruar edhe vite më parë në një teatër të Vjenës dhe në forma të tjera, por interpretimin maksimal të kësaj vepre thotë se e ka ndjerë mbrëmë në Prishtinë.
“Jam shumë i lidhur me kulturën time, me muzikën time. Kjo vepër është një ri-prurje shumë e bukur nga kompozitori dhe dirigjenti Hajrullah Syla dhe natyrisht me korin e Filharmonisë që është një kor shume profesionist dhe me violinistin Festim Fanaj. Jam ndjerë shumë i emocionuar, në fund të fundit emocioni dhe interpretimi janë kulmi i publikut, dhe, po jam munduar që këtë edhe ta transmetoj”, tregoi tenori Durmishi, ndërsa tha se ndihet i privilegjuar që sonte bashkëpunuan me një dirigjent të përmasave ndërkombëtare, që është mjaft i talentuar dhe njohës i mirë i muzikës në përgjithësi që nga Renesanca deri tek klasikja dhe muzika bashkëkohore.
Ndërsa për dirigjentin Marcio Da Silva, dirigjimi i kësaj vepre shqiptare e kishte inspiruar edhe më tepër, kur kishte kuptuar historinë e saj.
“Ishte shumë interesante për mua të dirigjoj kur më treguan më shumë rreth historisë së veprës, u ndjeva edhe më i inspiruar nga kjo vepër. Pra, kjo është një histori shumë e dhimbshme dhe shumë e bukur në të njëjtën kohë . Unë mendoj që interpretimi i kësaj vepre sonte ishte shumë emocionues, pasi që, edhe publiku reagoi shumë mirë ndaj kësaj vepre”, u shpreh dirigjenti Da Silva.
Ndërsa një interpretim tjetër të veçantë e solli sopranoja Adelina Paloja, që për publikun solli një vepër mjaft sfiduese të Imant Ramnish. Ky interpretim u përcoll me kor dhe në piano nga pianisti Melos Buza, duke mbyllur kështu koncertin e mbrëmshëm. Por para këtyre, me tingujt e pianistit Buza, në skenë u ulën interpretuesit e njohur të kuartetit harkor Visar Kuci, Festim Fanaj, Arianist, Shehu e Antonio Gashi. “The Dark night of the soul”, nën interpretimin e korit, e veçmas të sopranos Selvije Marteti veçse e bëri këtë koncert më të kompletuar.
Ky ansambël prej rreth pesëdhjetë anëtaresh veçse po e vazhdon ta kultivoj traditën e këndimit koral që në Kosovë ekziston qysh herët. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari mendon se kjo është pikërisht arsyeja që niveli i korit i Filharmonisë së Kosovës, është dukshëm më i avancuar se ai i vendeve të rajoni.
“Ky vit shënon një jubile të veçantë për korin e Filharmonisë. Kori i Filharmonisë njihet jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon si një ansambël profesional më në nivel, kjo pasi që ne kemi edhe një traditë që nga vitet e 50’, duke u nisur nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren e qysh nga i madhi Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, por kori i Filharmonisë ka një lidhje më direkt e me korin e “Radio Prishtinës”, i cili ka vepruar plot dhjetë vite, deri në mbylljen e dhunshme të Radio Televizionit të Prishtinës”, tregoi drejtori Jashari, i cili ndër të tjera veçon edhe prezantimin e ansamblit të “Radio Prishtinës”, në shumë skena të njohura të Jugosllavisë së atëhershme.
Dirigjenti Da Silva i ka bërë një ftesë Korit të Filharmonisë për dy përvjetorë, për 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si dhe 15-të vjetorin e themelimit të korit, që më 5 maj, në qytetin Hastings të paraqiten me koncert. Vend ky në të cilin vepron dirigjenti Marcio Da Silva. Kori i Filharmonisë do i bashkëngjitet orkestrës dhe një kori tjetër atje, bashkim ky që ndodh për të shënuar edhe 90-të vjetorin e themelimit të korit të tyre atje. Ndërsa gjatë qëndrimit në Hastings, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë edhe një koncert vetanak në Londër, me mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Londër./ KultPlus.com