1 Dhjetor, 2022 - 9:03 am
Ligjvënësit demokratë votuan të mërkurën unanimisht për të zgjedhur kolegun e tyre Hakeem Jeffries si kreun e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve.
Kur zoti Jeffries të marrë detyrën në janar ai do të jetë afrikano-amerikani i parë që mban një pozicion kaq të lartë në Kongres.
Votimi nga kolegët demokratë për zotin Jeffries i hap gjithashtu rrugën ngritjes së një brezi të ri udhëheqësish në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh dhe fundin e epokës së ish-kryetares së Dhomës Nancy Pelosit dhe kontrollit nga demokratët e tjerë në të 80-at.
Zoti Jeffries, një 52-vjeçar njujorkez, do të mbajë pozicionin e udhëheqësit demokrat të Dhomës për Kongresin e 118-të që mblidhet më 3 janar.
Udhëheqësi i shumicës demokratike në Senat, Chuck Schumer tha se nuk ishte i befasuar që u zgjodh zoti Jeffries për postin, që ashtu si zoti Schumer është nga Bruklini
Të vish nga Bruklini do të thotë që “të mësosh se si të punosh me njerëz nga të gjitha grupet. Mëson se si të mbrosh pozicionin tënd. Mëson të mos i marrësh gjërat personalisht,” tha Sen. Schumer të mërkurën, duke shtuar se zoti Jeffries “i ka të gjitha këto tipare. .”
Ligjvënësi Jeffries njoftoi zyrtarisht kandidaturën e tij më 18 nëntor, pas një dekade në Dhomën e Përfaqësuesve, duke u zotuar të kryesojë një grup që do ta kthente pushtetin tek anëtarët e komisioneve dhe do t’u jepte ligjvënësve të rinj më shumë zë në hartimin e legjislacionit se edhe poste të profilit të lartë .
“Angazhimi ynë është gjithmonë të zgjasim dorën e bashkëpunimit kurdo dhe kudo që të jetë e mundur, në mënyrë që të realizojmë arritje për amerikanët e zakonshëm,” tha zoti Jeffries, kur u pyet se si do të punojë me republikanët.
Ligjvënësja Katherine Clark, 59 vjeçe, nga Massachusetts, fitoi postin nr. 2 të demokratëve. Pete Aguilar, 43 vjeç nga Kalifornia dhe anëtar i Grupit Hispanik të Kongresit, u zgjodh në detyrën aktuale të zotit Jeffries si kryetar i grupit demokratik.
Me zgjedhjet e tyre për herë të parë, tre rolet kryesore të partisë mbahen nga gra ose njerëz nga pakicat.
“Së bashku, ky brez i ri udhëheqësish pasqyron gjallërinë dhe larminë e vendit tonë të madh – dhe ata do të rigjallërojnë grupin tonë me energjinë, idetë dhe perspektivën e tyre të re,” tha zonja Pelosi në një deklaratë duke uruar të tre udhëheqësit e rinj.
Ndryshimi i udhëheqjes për demokratët vjen pasi republikanët pritet të marrin kontrollin e shumicës – me një diferencë të vogël – të Dhomës së Përfaqësuesve si rezultat i zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit. /VOA / KultPlus.com