6 Dhjetor, 2022 - 12:00 pm
Sot është dita e shën Nikollës, shenjtori që bën bashkë të krishterët orthodoksë dhe ata katolikë, pasi njihet e nderohet prej të dyja besimeve.
Shën Nikolla është një nga shenjtorët më të njohur në mbarë botën, për shkak se figura e tij është komercializuar duke e paraqitur edhe si personazhin e përrallave që shpërndan dhurata për fëmijët, në prag të Krishtlindjes. Për shumë vende, 6 dhjetori është dita kur zbukurohet pema e Krishtlindjes.
Shën Nikolla njihet ndryshe si Nikolla i Mirës (qytet i Turqisë së sotme), Shën Kolli (në Shqipëri), dhe me emrat si Nikolaus, Klaus etj. Ai është shenjtori mbrojtës i qytetit të Barit, në Itali, ku ende ruhen eshtrat dhe sende personale, të grabitura nga Turqia që në shekullin e 11-të. Duke qenë se ka shumë legjenda dhe mrekulli që i atribuohen atij, shën Kolli njihet ndryshe edhe si shenjtori mrekullibërës. Përkujtohet nga Kisha Ortodokse si dhe Romano-Katolike më 6 dhjetor, në ditën e tij të vdekjes.
Në Shqipëri kishat që mbajnë emrin e këtij shenjtori janë të përhapura kudo ka besimtarë të krishterë, ortodoksë e katolikë. DRTK Shkodër, me rastin e ditës së Shën Kollit, përcolli sot imazhe të një prej objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore, Katedralen e Shën Nikollit, në Lezhë.
Ky objekt kishtar i përket shek.XIV me përmasat 17×8 m. Në anën e djathtë, pranë absidës ende sot ruhen gjurmët e afreskut ku paraqitet imazhi i Shën Nikollës. Në historinë e mesjetës së vonë, ky objekt religjoz lidhet dhe me figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbe, trupi i të cilit u varros aty me 17 janar 1468.
Ndërkohë edhe drejtori i DRTK Korçë, Gjergji Koki, ka uruar besimtarët ortodoksë duke postuar një fragment afresku nga Kisha e Shën Nikollës në Voskopojë, e restauruar nga specialistët e DRTK Korçë. /atsh / KultPlus.com