8 Dhjetor, 2022 - 10:17 am
Instrumentet muzikore që janë përdorur në Shqipëri, kryesisht ato tradicionale, përbëjnë një koleksion të pasur në arkivin etnografik të Institutit te Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA). Nisur nga kjo, IAKSA ka organizuar një cikël ekspozitash prezantuese të këtij koleksioni nën titullin “Tinguj të heshtur”. Gjithë instrumentet e këtij koleksioni kanë heshtur në çastin që janë marrë dhe janë futur në arkiv. Kjo është arsyeja pse është quajtur kështu.
Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit e ka konceptuar si një ekspozitë ciklike, kësaj here duke marrë si pikë referimi Tiranën. Megjithatë, kjo nuk ka kuptim përjashtues ndaj trevave të tjera. Instrumentet muzikore që do të ekspozohen, kanë një hartë përdorimi edhe në zona të tjera të Shqipërisë; janë përdorur dhe disa ende përdoren. Nga studimet e bëra, instrumentariumi shtrihet në një hartë përdorimi që shkon nga Afrika e Veriut, në Lindjen e Mesme dhe vjen drejt Mesdheut e Ballkanit, sigurisht duke kaluar procese të caktuara “aklimatizmi” siç i quajnë me të drejtë studiuesit Ramadan Sokoli dhe Pirro Miso.
Vegla muzikore janë ndarë në 4 kategori: aerofone, membranofone, vegla idiofone dhe ato kordofone.
Vend zënë gjithashtu edhe instrumente që janë përdorur brenda praktikave fetare, siç janë ato të bektashinjve dhe helvetive. E rëndësishme për t’u nënvizuar është se, ndërsa disa instrumente vazhdojnë ende të bëjnë një jetë aktive, disa të tjera kanë dalë nga përdorimi. Kësisoj, ruajtja dhe kujdesi ndaj këtyre instrumenteve bëhen thelbësore për të gjurmuar nga afër procesin, por mund të ofrojnë një mundësi edhe për rikthimin e tyre si pjesë e proceseve të mundshme të rivitalizimit.
Synimi i ekspozitës është për të gjetur mënyra komunikimi me atë që qëndron jashtë këtij arkivi, me interesin që mund të ngjallin këto artefakte si pjesë e dijebërjes në ndërtimin e tyre. /atsh / KultPlus.com