Debutoi 15 vjeç si futbollist profesionist, sot Simon Simoni luan në Bundesligë

15 Dhjetor, 2022 - 6:04 pm

Simon Simoni ka bërë hapin e madh në karrierë. Portieri lezhjan ka firmosur për Eintraht Frankfurtin, një nga ekipet elitare të Gjermanisë, pjesëmarrës në Ligën e Kampionëve. Kontrata e tij me klubin e ri është për 4.5 vjet, ndërsa Dinamo përfiton shumën e 600 mijë eurove nga ky transferim dhe në bazë të aktivizimit do të jetë edhe një bonus që shkon deri në 400 mijë euro.

Një lëvizje shumë e rëndësishme kjo si për 18- vjeçarin në aspektin profesional dhe atë ekonomik, ashtu edhe për klubin kryeqytetas, që mbush arkën me një shifër të konsiderueshme. Simoni ka kryer më parë vizitat mjekësore, ka parë nga afër ambientet e klubit të ri dhe do të bashkohet me të në janar.

Është pa dyshim një lëvizje e bujshme për futbollin shqiptar në përgjithësi, që një lojtar i saj dhe aq më tepër nga një klub i Kategorisë së Parë, të katapultohet në Bundesligë dhe në një nga emrat e nivelit të lartë të saj.

DETAJET – Klubi i Dinamos përfiton shumën e 600 mijë eurove dhe kjo është e parë në historinë e klubit që flitet për të tilla shifra. Me ardhjen e presidentit Bardhi në krye të bluve, të rinjtë kanë qenë prioritet, por nuk mendohej që do të bëhej kaq shpejt një lëvizje kaq e madhe.

Simoni ka hedhur firmën për 4.5 vjet me Eintrahtin. Gazeta mëson se ai do të përfitojë rreth 3.5 milionë euro nga kjo kontratë, plus bonuset, që mund ta rrisin ndjeshëm shifrën.

Me aktivizimin e mundshëm të lezhjanit si titullar, termat financiare ndryshojnë shumë. Për transferimin e Simon Simonit është folur që sezonin e kaluar, kur ai zuri vend në formacionin e Dinamos së Superiores që në moshën 17-vjeçare dhe bëri një paraqitje shumë të mirë. Në fillim atë e ndoqën nga afër përfaqësues të klubit të Udinezes.

Në verë u fol për një kalim të mundshëm në Turqi dhe tani vjen firma në Gjermani. /Panorama Sport /KultPlus.com

Të ngjajshme