Zhaneta Barxhaj, fituesja e ‘KultStrofa 2022’: Ta duam gjuhën dhe vendin tonë, të ruajmë atë që është ndërtuar në mijëra vite

20 Dhjetor, 2022 - 5:01 pm

Flonja Haxhaj

Poetja Zhaneta Barxhaj nga Tirana, me poezinë e saj ‘Hija’, fitoi çmimin e parë në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë ‘KultPlus’, mbrëmja finale e të cilit u mbajt më 16 dhjetor, shkruan KultPlus.

Juria e këtij edicioni, e përbërë nga shkrimtarët Ornela Vorpsi dhe Ag Apolloni si dhe Dren Abazi, muzikant dhe tekstshkrues, e vlerësuan poezinë ‘Hija’ si më të mirën në mesin e afro 200 poezive që u dërguan në këtë konkurs.

Në një intervistë për KultPlus, Zhaneta Barxhaj ndau momente nga koha kur filloi të shkruajë, planet e saj për të ardhmen si dhe momentin kur aplikoi për t’u bërë pjesë e konkursit ‘KultStrofa’.

“Kam parë një njoftim të KultPlus dhe nuk e dija se kush e organizonte dhe as ku zhvillohej. Mendova të dërgoj një poezi edhe pse nuk marr shumë pjesë në konkurse të tilla. E dërgova e-mailin dhe e kisha harrur. Atë ditë që më shkruajtën se jam në mesin e 10 finalistëve, ishte shumë emocionuese dhe menjëherë hyra në internet për të parë adresën ku duhet të paraqitesha. Kur më doli Prishtina u habita dhe u gëzova vërtet shumë.”, tha Barxhaj, e cila shprehet falënderuese ndaj KultPlus për këtë organizim.

Më tutje, Barxhaj, e cila kishte udhëtuar nga Tirana për të marrë pjesë në mbrëmjen finale, vlerëson shumë në veçanti jurinë, duke i cilësuar të gjithë si artistë të mrekullueshëm dhe të arritur në karrierën e tyre.

“Më preku jashtëzakonisht motivacioni që më dha Ornela Vorpsi, duke ma vënë në pah lëvrimin e pastër të gjuhës shqipe në poezinë time. Në fund të fundit, misioni i të gjithë neve që shkruajmë është ky; të ruajmë gjuhën shqipen, ta zhvillojmë, ta pasurojmë dhe mos ta humbasim atë”, vazhdoi Barxhaj, duke shtuar se vlerësimi nga një juri e tillë i dha një emocion të fortë dhe shumë të bukur.

Zhaneta Barxhaj lidhjen me poezinë e kishte nisur shumë herët, atëherë edhe kur kishte filluar të shkruajë, ndonëse për shkak të shumë dilemave dhe dyshimeve, vëllimin e saj të parë e kishte botuar shumë vonë.

“Kam punuar me profesorin tim, ai më ka nxitur që unë të botoj vëllimin e parë me poezi ‘Valltari pa këmbë’, pastaj kalova ‘aksidentalisht’ në prozë”, u shpreh poetja Barxhaj, duke shtuar që për disa vite kishte lënë në njëfarë mënyre anash poezinë, për tu fokusuar më shumë në prozë.

Ndërkaq këtë vit, Barxhaj publikoi edhe romanin e saj të parë ‘Fëmijëri e thinjur’ me të cilin ajo u praraqit në Panairin e Librit që u zhvillua këtë nëntor në Tiranë.

“Ky ishte një emocion i madh për subjektin që kam trajtuar, duke qenë se është një temë delikate. Temë që prek periudhën më të trishtë të vendit tonë, atë të “Luftës Civile” të vitit 1997. Këtë e kam sjellë si një rrëfim nga sytë e një fëmije,”, tha më tutje Barxhaj, duke shtuar mes tjerash se përmes këtij romani ka shprehur thirrjen e saj të brendshme, për të shkruar për një periudhë të cilën njerëzit zakonisht mundohen që ta mbulojnë. Por, plagët nuk mund të fshihen. Ato vazhdojnë të mbeten aty.

Më tutje, ajo ndau me KultPlus edhe projektet e saj të radhës, ndonëse disa prej tyre akoma nuk janë finalizuar dhe që lidhen me disa fusha.

“Projekti më i afërt është një vëllim poetik për të cilin jam në përgatitje e sipër, ndoshta kjo edhe për shkak se nuk dua që poezia të më bëhet xheloze për prozën”, deklaroi ajo, duke shtuar se në këtë vëllim ka bërë bashkë poezi të shkruara ndër vite.

Për fund, poetja Zhaneta Barxhaj nuk la edhe pa dhënë një mesazh për lexuesit e KultPlus, e që përtej poezisë e leximit, ka të bëjë me ruajtjen e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e rrënjëve të forta që shqiptarët nga të gjitha anët e kufirit kanë krijuar ndër mijëra vite.

“Mesazhi im është shumë i thjeshtë, ta duam gjuhën shqipe, ta duam vendin tonë, pavarësisht që jemi në një situatë nga më të vështirat në të dyja anët e kufirit. Por do të doja që me të gjitha sakrificat që përmban kjo rezistencë në këto kohë, të ja dilnim mbanë të gjithë së bashku. Të mos arrijmë në një moment, kur ta shohim të na shkërmoqet çdo gjë që e kemi ndërtuar prej mijëra vjetëve para duarve, sepse historia do të na gjykojë neve që jetojmë tani në këtë kohë’, përfundoi Barxhaj.

Më poshtë mund të lexoni poezinë ‘Hija’ të Zhaneta Barxhaj, poezinë fituese të edicionit të pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’:

Hija 

Kam filluar të kërrusem. 
Sytë më picërrohen e gati ma thyejnë zverkun, 
në orvatjen për të parë edhe një grimë jetë. 

Si kulpër rreh gjithçkaja rreth meje, 
veç asaj… hijes. 
Ajo qëndron drejt, pa u trembur nga asgjëja e frikshme. 

Hija, qepur në thembrat e këmbëve të mia, 
më tërheq me fije të tejdukshme 
e nuk më le të humbas… të bie… 

Unë konia e lidhur, ajo sunduesja, 
që më mban fort mos t’i iki…se ikën edhe vetë. 

Eci e trusur edhe më. 
Ku e ka vallë dobësinë hija? 
Ta thyej, ta copëtoj e të kërrusem e lirë…! 
Te thembra e këmbës, më thotë nata. 

Ah! Po ku ta gjej një shigjetë e hark, 
dhe mërinë e Akilit që ta shpoj? 
Ta shoh cofëtinë të bjeri e të ngrihet hiri, 
dhe le të jetë kjo një harakiri…
/KultPlus.com

Të ngjajshme