Me temën “Thriller” nisë rrugëtimi i filmave francezë nëpër Kosovë

15 Mars, 2018 - 10:20 am

Alberina Haxhijaj

Në Kinemanë ABC është shfaqur, mbrëmë, filmi L’affaire SK1, nga FrançoisTellier. Shfaqja e këtij filmi është bërë në kuadër të Festivalit të filmit Frankofon që po zhvillohet në tërë Kosovën, ku tema e sivjetme është ” Thriller”, shkruan KultPlus.

Filmi “L’affaire SK1” sjellë përpjekjet e policisë dhe vendosmërinë e inspektori Franc Magne, për të kapur një vrasës serik. Në vitin 1991, Franck Magne, një inspektor i Quaides Orfèvres, është përgjegjës hetimi për vrasjen e një vajze. Shumë shpejt, ndodhin raste tjera të ngjashme. Magne shpejt e kupton se vrasjet janë vepër e një personi të njëjtë i cili nuk kishte të ndalur, deri në pikën e rrezikimit të jetës së tij familjare.

Shfaqja e filmave të tjerë do të vazhdojë edhe gjatë netëve në vazhdim në Prishtinë por edhe në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë, në kudër të edicionit të 18-të të “Javëve të Frankofonisë 2018” që do të zgjasë deri më 31 mars.

Valon Ibraj, Atashe për Kulturë në Ambasadën Franceze tregoi për KultPlus se realizimi i aktiviteteve edhe në qytete e tjera do të mundësoj që kultura frankofone të jetë sa më afër qytetarëve.

“Java e Filmit Frankofon ka filluar sonte dhe do të zgjasë deri më datën 23. Këtë vit e kemi temën të filmit thriller dhe policor. Ky ka qenë një vendim i stafit i cili e ka organizuar programin, që gjatë kësaj javë të servohen filma të këtij zhanri. Kjo është hera e parë që ka film të zhanrit thriller në ‘Javët e Frankofonisë’ dhe mendojmë që është një përzgjedhje e mirë dhe mendojmë që Franca ka mjaftë filma të tillë për t’ua ofruar qytetarëve”, u shpreh ai.
Liridona Ademaj, studente në Universitetin e Prishtinës tha për KultPlus se iniciativa të tilla për promovimin e gjuhëve të caktuara janë të rëndësisë së veçantë, e sidomos për studentët të cilët kanë nevojë edhe të njihen me kultura tjera siç është edhe ajo franceze. Më tej ajo tregoi që aktivitet e Frankofonisë i përcjell çdo vit sepse sipas saj temat që trajtohen dhe kultura franceze në përgjithësi, sjellin risi në vend.

“Zakonisht i përcjelli aktivitetet e përvjetshme të Frankofonisë sepse më pëlqen kultura franceze dhe temat që trajtohen gjatë javëve të saj. Por natyrisht edhe fryma e re artistike që sjellë Ambasada Franceze gjatë këtij muaji”, shtoi ajo.

Filmi “L’affaire SK1” i pëlqeu edhe studentes tjetër nga Universiteti i Prishtinës. Jetmira Lushi tregoi për KultPlus se i pëlqeu aspekti hulumtues brenda filmit.

“Ishte një film shumë i mirë. Në përgjithësi më pëlqejnë filmat që kanë si protagonist dikë që mëton të hulumtojë përtej asaj që shihet. Më e bukura pjesë ishte se pas një kohe të gjatë pata rastin të dëgjojë gjuhën frënge të cilën e vlerësoj si një nga gjuhët më të pasura në botë”, u shpreh ajo.

Listën e plotë të filmave që do të shfaqen në kuadër të “Festivalit të Filmit Frankofon” si dhe vendin e orën se kur do të shfaqen mund ta gjeni këtu:

http://www.kultplus.com/filmi/vijne-filmat-e-javes-se-filmit-frankofon-ne-disa-qytete-te-kosoves/ / KultPlus.com

Të ngjajshme