26 Dhjetor, 2022 - 7:35 pm
Drejtuesit e muzeve më të mëdha botërore kanë vlerësuar me notë maksimale projektin e Muzeut Arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) në Shqipëri.
Kreu i DPA-së, Ardit Bido, shpalosi në punimet e këtij simpoziumi synimin për të krijuar një kompleks të mirëfilltë kulturor.
“Kjo është ideja e ekspozitës së përhershme, por që nuk është subjekti kryesor i kësaj hapësire. Përmban tri pjesë kryesore. E para është dyshemeja, që ka si fabul nga pas themelet mbi të cilat ecim. Me shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme përgjatë historisë, të shkruara në xhamin mbi të cilin mund të ecni”, tha Ardi Bido, kreu DPA.
Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, historia dhe trashëgimia dokumentare e kombit do të përcillen përmes teknikave interaktive, duke përçuar informacion përmes zbavitjes.
“Kjo është një prej dy kulminimeve. Ideja që qëndron pas tij është se ti vjen në Arkiv, në Muze, ke paguar për këtë, por nuk mjafton kaq për të parë gjërat më të rëndësishme të tij. I pari ishte Kodiku i Beratit dhe e dyta është Deklarata e Pavarësisë, të cilën ne nuk e kemi, por ‘Arkivat kanë çdo gjë’.
Ndaj, e vendosëm meqenëse historia e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë është interesante. Ajo është humbur në vitin 1949-n dhe shumica e njerëzve nuk e dinë se si ishte në të vërtetë deklarata sepse pandehin për origjinale një riprodhim të 1937-s, krejt të ndryshëm”, tha Ardi Bido, kreu DPA.
Pjesë e projektit është edhe krijimi i një hapësire studimi në natyrë dhe teatrit/kinemasë së hapur prej 150 vendesh, në oborrin rrethues të godinës së Arkivës./tch/ KultPlus.com