19 Janar, 2023 - 12:30 pm
Sot janë bërë 13 vite që kur legjenda e futbollit shqiptar, Panajot Pano vdiq. Ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë shqiptar që ka luajtur ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Ikonë e futbollit shqiptar dhe në veçanti Partizanit, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij të shkëlqyer, Pano mbetet si një ndër futbollistët më të dashur për publikun shqiptar, etalon i spektaklit dhe “Mbret i Golave”.
Panajot Pano ka realizuar plot 136 gola në 210 ndeshje me fanellën e Partizanit, duke fituar gjithçka që mund të fitohej në futbollin shqiptar në ato vite , 4 kampionate dhe 5 Kupa, ndërsa me Kombëtaren kuqezi ka shënuar 4 gola në 24 prezenca.
Të panumërta nderimet për “Mbretin Shqiptar” të golit nga institucionet shqiptare dhe të huaja.
Panajot Pano është “Mjeshtër i Madh i Sportit”. FSHF në vitin 2008 e njohu me çmimin “Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, ndërsa UEFA dhe FIFA i kanë akorduar çmimin “Lojtari Shqiptar i Shekullit”.
Të tjera nderime ndërkohë janë dhe titulli “Nderi i Kombit”, si dhe “Simboli i Qytetit të Tiranës”.
Panajot Pano mbetet simbol i futbollit mjeshtëror dhe lojtarit të dashur nga të gjithë në vend, si një virtuoz i madh i futbollit që dhuroi emocione të paharrueshme ndër vite për tifozët shqiptarë. /KultPlus.com