19 Mars, 2018 - 10:00 pm
Shtypi amerikan botoi shumë artikuj dhe intervista për vizitën e tri princeshave shqiptare në SHBA. Ishte marsi i vitit 1938.
Motrat e Mbretit Zogu I kishin marrë udhëtimin e përtej oqeanit me një mesazh përshëndetje për bashkatdhetarët shqiptaro-amerikanë.
Ato patën shumë takime të rëndësishme, ku shprehën falënderimet e vëllait të tyre, Mbretit Ahmet Zogu dhe u përgatitën për të ndjekur meshën në Kishën Autoqefale shqiptare në Boston.
Gazetari Ben Andoni ka botuar një shkrim, se si e përshkruan këtë vizitë gazeta e njohur amerikane “New York Post” e datës 14 mars 1938.
“Princeshat shqiptare Ruhije, Myzejen dhe Maxhide morën pjesë në Meshën e së dielës në Kishën Ortodokse shqiptare të Shën Jorgos.
Duke qëndruar të heshtura përpara altarit, princeshat myslymane, si vëllai i tyre, dëgjuan lutjet e Peshkopit Noli për Monarkun e Mbretërisë shqiptare…”
Princeshat shoqëroheshin nga i famshmi Faik Konica, që ishte ambasador i Mbretërisë Shqiptare në Uashington. Ato u takuan me shumë shqiptarë, që përshëndetën ardhjen e tyre dhe dërguan falenderime dhe urime për martesën e shpejtë të Mbretit Zog I me Konteshën Geraldina Appony.
Princeshat kryen disa vizita, por edhe ato u vizituan nga shumë përfaqësues të komunitetit shqiptar të Bostonit dhe rrethinave.
Në suitën e tyre, në hotel, ato u vizituan edhe nga Peshkopi Fan Noli. Pas qëndrimit, ku Noli shprehu dëshirën për t’u rikthyer në Atdhe, ai dha disa deklarata shtypi për takimin e gjatë me Princeshat Shqiptare. Siç shkruan ‘New York Post’, Noli i përshkroi Princeshat si “shumë tërheqëse”.
Vizitat e tyre u shoqëruan edhe me një propozim të veçantë nga producenti i famshëm Sam Goldqin. Siç njoftonte agjencia United Press.
Ai kërkoi të merrte princeshat e bukura shqiptare për xhirimin e një filmi për Mbretërinë Shqiptare. Për këtë i dërgoi edhe një kërkesë zyrtare Ambasadorit Faik Konica: “Dëshiroj të diskutojmë me Princeshat mbretërore për të marrë këshillat e tyre eksperte mbi procedurat e Oborrit Mbretëror për prodhimin e një filmi, ndërtuar rreth një Mbretërie mitike, të vogël, por të rëndësishme. Do të dëshironim të diskutonim dhe, nëse është e mundur, që princeshat të dalin në film, siç janë duke portretizuar hierarkinë mbretërore”. Por, ky propozim nuk u realizua dot për shkak të pushtimit fashist të mbretërisë shqiptare.
Vizita e Princeshave shqiptare zgjati disa ditë“. /gazetatema.net/