28 Janar, 2023 - 8:30 pm
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i uroi sot ditëlindjen shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
Presidenti Begaj, së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj takuan shkrimtarin Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Helena Kadare.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj vlerëson shkrimtarin Ismail Kadare dhe e konsideron atë ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare.
“Patëm kënaqësinë që së bashku me Armandën, t’i uronim sot ditëlindjen mjeshtrit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. I përkthyer në mbi 45 gjuhë, ai është ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, historisë dhe identitetit tonë, shkrimtari dhe intelektuali që e ka rritur dhe nderuar emrin e Shqipërisë në botë”, shkruan Presidenti Begaj.
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, feston sot 87-vjetorin. Ai u lind më 28 janar të vitit 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë.
Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. /atsh /KultPlus.com