2 Shkurt, 2023 - 2:11 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një prej moleve që po ndërtohet në Liqenin e Shkodrës.
“Në Zogaj, ku po ndërtohet një prej tre moleve në Liqenin e Shkodrës, me të gjitha parametrat në funksion të lundrimit në natyrën e bekuar në zonën liqenore, që shihet edhe si një perspektivë e re turistike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, tha Kryeministri ndërsa ndau pamjet e molit të ri.
Investimet në bashkinë Shkodër përfshijnë rrugën Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi rreth 6 km e gjatë ku shumë shpejt nis ndërtimi.
Po ashtu, do të investohet në lidhjen Shëngjin-Ulqin, bajpasin e Shëngjinit, urën e Bunës dhe rrugën Pulaj.
Në Shkodër do të investohet për sheshin e Shirokës, Muzeun e Liqenit dhe pikat panoramike, molet Almonit, hyrjen e Shkodrës, Muzeun e Navigimit dhe Kalanë e Rozafës.
Në zonën e Alpeve investimet përfshijnë rrugën Qafë Thore-Theth, rikualifikimin e Thethit, rrugën Theth-Nderlysaj, faza 1, si dhe aksin Nderlysaj-Lotaj-Lekbibaj-Prekal ose unaza e brendshme e Alpeve.
Po ashtu ndërhyrje parashikohet në rrugën Ura e Mesit-Kala e Drishtit, për ndriçimin e rrugës Ura e Mesit-Kala e Drishtit si dhe për rivitalizimin e Kalasë së Drishtit./ atsh / KultPlus.com