20 Mars, 2018 - 3:30 pm
Vazhdojnë aktivitete në New York, për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Në ankand do të dalin edhe veshjet nga linja për fëmijë Vit’Aime, shkruan KultPlus.
Miqtë e regjisorit Bekim Lumi, të cilët jetojnë dhe punojnë në New York do të mbajnë një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin. Në kuadër të këtij organizmi do të realizohet edhe një ankand ku është njoftuar se Afërdita Delaj do të dhurojë edhe rrobat nga linja për fëmijë Vit’Aime.
Ky organizim ishte paralajmëruar fillimisht si koncert nga artistët ,Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani.
Më vonë këtij organizmi iu bashkuan edhe miq e artistë të tjerë si: Fadil Berisha, Sara Shala, Vero panini & wine bar, Shpresa Xhakli, B&B Couture, Blue Waterfall Films, Albanian American Woman’s Organization “Motrat Qiriazi”, e të tjerë.
Koncerti do të mbahet në Scandinavia House, 58 Park Ave, New York, NY. Tiketat do të mund të blihen në hyrje të derës kurse çmimi i tyre është 50 dollarë.
Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./ KultPlus.com