5 Shkurt, 2023 - 8:07 pm
Radio Televizioni i Prishtinës, i pari televizion në Kosovë, sot shënon 78-vjetorin e themelimit. RTP filloi punën së pari në Prizren menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore teksa më pas u transferua në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ka qenë viti 1945 fillimi i këtij rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, fillimisht në kuadër të Forcave Aleate në Mitrovicë ku edhe ka funksionuar stacioni radiotelegrafik.
Në datën 5 shkurt të atij viti, 1945, në Prizren u themelua stacioni i parë profesional me programin e rregullt ditor në gjuhën shqipe, pastaj dhe në atë serbe.
Pas zhvendosjes në Prishtinë, Radio Prishtina vazhdoi rritjen e saj krahas kërkesave të shoqërisë. Falë zhvillimit të teknikës dhe aftësimit të kuadrit u zgjerua dhe u begatua radio-programi.
Kështu Radio Prishtina arriti të bëhet institucion i fuqishëm informativ, arsimor e kulturor brenda dhe jashtë vendit.
Me ato programet cilësore informative, politike, dokumentare, arsimore e kulturore, RTP-ja u bë institucioni i vetëm radioteleviziv që ofronte hapësirë për të gjitha etnitetet që të shprehen në gjuhët e tyre.
“Akordet e Kosovës”, “Mikrofoni i artë”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kosovarja këndon” e shumë të tjera janë programet cilësore muzikore që padyshim mbesin thesar i kësaj krijimtarie televizive.
RTP-ja që sot shënon 78-vjetorin është sinonimi i qëndresës kombëtare shqiptare. /KultPlus.com