7 Shkurt, 2023 - 7:00 pm
Monodrama, në regjinë e Sulejman Rushitit, jepet në Kloten (ZH). Rolin e vetëm, atë të Andreas, e luan Daut Ahmeti i cili është edhe producent i shfaqjes.
“Procesi i provave ka zgjatur rreth një muaj dhe tani është caktuar data e premierës. Bëhet fjalë për monodramën me titull `Në emër të atit`, me autor shkrimtarin e njohur nga Shkodra, Ridvan Dibra. Autori është frymëzuar nga miti i Eneas së Trojës, pra ikja e Eneas ditën kur bie Troja”, thotë për Albinfo.ch personi që e ka vënë shfaqjen në skenë, regjisori i njohur nga Gostivari, Sulejman Rushiti.
Shfaqja vihet në gjuhën shqipe. Aktori (i vetëm) që luan rolin e Andreas, Daut Ahmeti, njëkohësisht është edhe producent i shfaqjes që është përgatitur në kuadër të shoqatës/teatrit Artina/on.
Kompania teatrore që e prodhon shfaqjen është e regjistruar nga Daut Ahmeti, aktori që edhe e interpreton rolin e Andreas në monodramë. Ai më ftoi para rreth 5-6 muajsh dhe ma dërgoi tekstin. Pasi e lexova, vendosëm ta vëmë në skenë.
Është pra projekt shqiptar në Zvicër, sepse shoqata është shqiptare, dhe shfaqja do të jetë në shqip (me titrim gjermanisht), plotëson Rushiti për albinfo.ch, duke shtuar se tekstin e titrave e ka përkthyer vetë në gjermanisht.
“Shfaqja trajton të dëbuarit, të zhdukurit, pasojat e luftërave. Përmes një rrëfimi, futemi thellë në shpirtrat e lënduar të të gjithëve që kanë pësuar nga luftërat. Futemi në vuajtjet dhe mallëngjimin e tyre për më të dashurit. Jetojmë e përjetojmë bashkë me Andrean dilemat, pikëpyetjet, dashurinë, mallin, mallëngjimin, urrejtjen, guximin, etj. `Në emër të atit` është një elegji për shpirtrat e humbur, si ata të zhdukur, ashtu edhe ata të “shpëtuar”, thuhet në fjalën e regjisorit, Sulejman Rushiti, me rastin e vënies në skenë të kësaj shfaqjeje.
Ndërsa autori i veprës së inskenuar, Ridvan Dibra, thotë: “`Në emër të atit`, është njëra prej veprave të mia të para në dramaturgji. Nxitjen e kam marrë nga një episod i mitit të lashtë rreth princit të Dardanisë, Enea (Andrea, në pjesë). Është pikërisht momenti kur Enea detyrohet të largohet nga Troja e pushtuar dhe në flakë. Pikërisht mbi këtë të “dhënë mitike” kam ndërtuar monodramën, duke e strukturuar në formën e një monologu të vazhdueshëm të Andreas, por dhe të dialogëve të tij me pjesëmarrësit e heshtur në ikje: babën, djalin dhe gruan. (…). Në shpirtin dhe mendjen e trazuar të Andreas – një karakter sa shqiptar aq dhe universal – përplasen kode etike e zakonore, problematika morale e ekzistenciale. Dhe në fund, duket se humbësi i madh është pikërisht ai: Andrea.
“Kam bindjen se kjo monodramë ka aftësinë të vazhdojë edhe pas mbarimit të saj. Sepse lë jo pak pikëpyetje e dilema në shpirtin dhe mendjen e spektatorit. Në fund të fundit, mendoj se ky është edhe qëllimi i artit të vërtetë”, thotë veç tjerash autori, Ridvan Dibra.
Ndryshe nga aktivitetet tjera, si ato muzikore ose letrare, aktiviteti teatror, për vetë kompleksitetin që ka është një “artikull deficitar” në agjendën kulturore të komunitetit tonë. Së këndejmi, mbetet të pritet që kjo shfaqje të ngjallë interesimin e publikut, shkruan albinfo.ch.
Shfaqja jepet të dielën, më 12 shkurt, në Stadtsaal Kloten, Schluefweg 10, 8302, Kloten me fillim në orën 18.30. / KultPlus.com