14 Shkurt, 2023 - 11:50 am
Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare. Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar.
Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.
Faruk Begolli (1944-2007). Aktor, regjisor, pedagog. Lindi në Pejë, më 14 shkurt, nga një familje bejlerësh të pasur dhe me emër në Kosovë (i ati, Sefedini, ishte nga njerëzit më të kamur të Pejës, antikomunist, ndërsa e ëma ishte bija e Jashar Pashes, mbesa e patriotit të njohur Haxhi Zeka).
Pas kryerjes se dy viteve për ekonomi në Universitetin e Beogradit, ishte aktori Istref Begolli, i afërmi i tij, që e rekomandoi të konkurronte për aktrim në Akademinë e Arteve po në Beograd, më 1962, ku fitoi ndër 1.000 aplikantë. U martua me Zoja Bokoviqin, balerinë profesioniste ëe teatrin Narodno Pozoriste dhe bashkëjetoi me të 17 vjet. Edhe pas ndarjes, ajo mbajti mbiemrin Begolli, në respekt të ish-bashkëshortit.
Begolli është ndër aktorët më me emër në ish-Jugosllavi, duke u kthyer në një emblemë të filmave të kohës, posaçërisht në krijimin e portretit të adhuruar të luftëtarit dhe heroit vetëmohues gjatë Luftës II Botërore.
E nisi udhën si aktor filmi qysh student me rolin e një të sëmuri me tifo në filmin “Shikimi në bebëzën e syrit”, 1966. Filmi që do t’i sillte popullaritet në tërë Jugosllavinë ishte “Dashuria e parë”. Me pas luajti role kryesore në filmat “Proka”, “I3 Korrik”, “Përroi vërshues”, “E dashura Irene”, “Dashuria e parë”, “Buka”, “Fatet”, “Ruajtësi i plazhit në kohë dimri”, “Pavle Pavlovic”, “Valteri mbron Sarajevën”, “Beteja e Nervetes”, “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, “Sulmi i kuq”, “Vite te vështira”, “Gjurmët”, “Era dhe lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Etjet e Kosovës”.
Roli i fundit që luajti në kinematografi ishte ai te filmi Etjet e Kosovës (2006), me të cilin u nderua edhe me çmimin e “Aktorit më të mirë” në Festivalin e Filmit në Tiranë.
Ka luajtur në mbi 70 filma e drama televizive, me metrazhe e në zhanre të ndryshme, rëndom në rolet kryesore, duke u bërë një ndër aktoret më të popullarizuar në ish-Jugosllavi, ikonë adhurimi për fansat e shumtë, për të cilin derdheshin lot në fund të filmit, kur zakonisht edhe heroi që luante vritej heroikisht.
Një jetë prej artisti dhe bohemi, me një portret tërheqës, me sharmë dhe sy të bukur, fotozhenik, spontan, i brishtë e plot hir, ai krijoi modelin romantik të heroit, rëndom edhe të njeriut që luante e sillej lirisht në peripecitë e jetës prej aventurieri. Për një kohë F. Begolli ka drejtuar edhe shoqatën e Artistëve të Filmit në Jugosllavi.
Është radhitur ndër 100 personalitetet më të shquara të artit në Serbi. Ka fituar çmimet e “Aktorit më të mirë” për rolet në filmat “Si të vdiset”, 1972, “Dashuria e Bjeshkëve te Nemuna”, 1998, “Etjet e Kosovës”, 2007.
Për gati 10 vjet ka qenë drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë, ku ka bërë regjinë e mbi 20 shfaqjeve. Është themelues i degës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës me 1989, duke dhënë një ndihmesë të pazëvendësueshme në rritjen dhe ecurinë e këtij fakulteti. Me aftësitë e tij pedagogjike u bë ndër profesorët e aktrimit që implementoi metodologji universitare të frytshme e bashkëkohore.
Begolli ishte po ashtu një aktor imponues në teatër. E nisi udhën qysh me shfaqjen e komedisë “Makaronat e shejtanit”, dhe gjatë viteve të studimit në Beograd do të luante, ndër të tjera, Rozenkracin te Hamleti e Shekspirit. Ndërsa në Kosovë spikati në kino-shfaqjen Ah Xho e Beketit, regjisor Isa Qosja, Një varr për Boris Davidovicin (1985) e Danilo Kish me regji të Agim Sopit, Confiteor (1985) të Slobodan Shnajderit me regji të Vladimir Milcinit, Dervishi dhe vdekja (1986) e Mesha Selimovicit, Bregu i pikëllimit (1987) e Teki Dervishit.
Në teatrin “Dodona” do të inicionte si regjisor shfaqjen “Profesor… jam talent se jo mahi”, në 8 premiera, gjatë fundviteve ’90 dhe menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga forcat e Nato-s më 1999.
E konceptuar brenda një strukture unike, ky serial teatror ishte një nga arritjet më të spikatura të skenës kosovare për kohën, me numrin më të madh të shfaqjeve në të gjithë teatrot e Kosovës. Me ironi, satire, shpoti, por herë-herë edhe me dramacitet, ndërmjet kësaj serie shfaqjesh F. Begolli beri prerje interesante dhe me shumë guxim e sfidë ndaj dukurive e tipave të kohës, shogeruar nga një kritikë e fortë, por në thelb shëruese.
Përmbi 10 vjet, në vitet e vështira të pushtimit serb, e shndërroi teatrin “Dodona” të Prishtinës në një vatër artistike eksperimentale dhe universitare, duke bërë regjinë e disa shfaqjeve, kryesisht me studentët e tij, si: Tregimi zoologjik e Eduard Albi, Këngëtarja tullace e Eugjen Joneskos, Heronjtë e kombit e Y. Shkrelit, Dashuritë e Xhorxhi Uashingtonit e Mirko Gavranit, Hajnat nuk vijnë gjithmonë për të keq e Dario Fo-se, si dhe komeditë Stjuardesat, Zoti kryetar, një gote ex për sex, Mbytma burrin! etj.
Në vitin 2006, pas gati 15 vjet mungesë në skenë, luajti Lirin te tragjedia Mbreti Lir e Shekspirit në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, regjisor Fadil Hysaj. Ky rol është një nga emblemat e aktrimit të tij. F. Begolli risolli një lojë të shkëlqyer, mbushur me emocione dhe spontanitet, duke i dhënë frymë dimensionit të trefishtë të Lirit si mbret-baba-njeri, në vertikalen e rënies nga luksi dhe pushteti abuziv autoritar në mjerimin e njeriut të braktisur që vuan dhe vajton mospërfilljen e vajzave tinëzare.
Me këtë figurë, ai i dha formë anës sublime të aktrimit të vet, i cili bie në sy kryeherit për sinqeritet të thella e carmatoses, por edhe për vrullime pasionesh rrëmbyese, ekstaza dhe deliriume të përndezura, deri te skajta; ishte rol që i përshtatej sa vetë jetës dhe karakterit të tij, i fundit rol dhe sigurisht më i madhi në karrierën teatrore. Mban titullin Profesor. Vdiq në Prishtinë, më 23 gusht 2007.
Burimi: Aktoret Shqiptare / KultPlus.com