15 Shkurt, 2023 - 2:03 pm
Për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, RTK ka organizuar një Gala Koncert, të titulluar “Rrno për me tregue”, thënie kjo e njohur dhe e marrë nga libri i At Zef Pllumit.
Ky koncert do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, e ku përgatitjet për mbajtjen e tij ka kohë që kanë filluar.
Ideatori dhe udhëheqësi i këtij organizimi, Festim Kabashi nga RTK, deklaroi se kjo punë është përpjekje dhe angazhim i të gjithëve, pasi Transmetuesi Publik, siç tha ai, ka brenda vetës mjaftueshëm staf profesional e njerëz të shquar.
“Tash e sa ditë vetëm në këtë sallë, është duke u punuar vazhdimisht”, tha Kabashi, duke shtuar se koncerti “Rrno për me tregue” është ide e mbështetur menjëherë nga Komisioni Ndërshtetëror i Republikës së Kosovës.
“Pra është organizim i përbashkët i RTK-së dhe këtij Komisioni”, tha ai, duke shtuar se ideja bazohet në historinë e madhe dhe vuajtjet, dhimbjet e mëdha të vendit tonë, por edhe për faktin se vazhdimisht është kënduar.
“Të gjitha këto bashkë kemi menduar t’i sjellim në këtë koncert” tha Kabashi.
Duke treguar arsyen përse koncerti është titulluar “Rrno për me tregue” ai tha se kjo është e përbashkëta e të gjithëve, e ku ato janë vuajtjet e shqiptarëve, pavarësisht sistemeve e regjimeve të ndryshme në Shqipëri e në Kosovë.
Kabashi më tej theksoi se koncerti do të mbahet më 17 shkurt në orën 20:00, dhe do të jetë i hapur për publikun, duke shtuar se do të ketë edhe të ftuar specialë.
Ai deklaroi se emrat që do të këndojnë janë Elsa Lila, Gjon’s tears, Jericho, Rona Nishliu, Florent Abrashi, pastaj kori Siperantum e shumë të tjerë.
Kurse dirigjenti i këtij koncerti, Valton Beqiri, deklaroi se organizime të tilla të mëdha janë sfidë dhe përgjegjësi.
Megjithatë, ai tha se këtë herë është një ekip më i madh i artistëve që janë ftuar.
“Por kapacitetet tona janë duke u fuqizuar për të mbërritur në një nivel më të lartë”, tha ai.
Sipas tij, përveç festimit të 15 vjetorit të pavarësisë, ky koncert do të jetë edhe si një lloj prove gjenerale e kapaciteteve të Kosovës para organizimit të festivalit të Këngës, që për herë të parë pritet të mbahet këtë vit. / KultPlus.com