17 Shkurt, 2023 - 3:30 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery, gjashtë fotografë shpalosën punën e tyre e cila solli imazhe pothuajse të gjalla të natyrës së egër të Spanjës
Ekspozita e cila përmban 12 fotografi të fotografëve Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe Sevdail Sulejmani, përveç që solli fotografi të shkrepura në Valencia të Spanjës, erdhi edhe si një mesazh që Kosova të vihet në vëmendjen e Spanjës dhe si një lobim përmes artit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Spanja, shkruan KultPlus.
Në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte mbushur plot hapësirën e galerisë, e para fjalën e mori drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm në hapjen e kësaj eksozite, e cila përveç promovimit të botës së egër të Spanjës, ka edhe një mesazh që në thelb ka ndjenjën kombëtare.
“Është një kënaqësi shumë e madhe të hapim këtë ekspozitë të gjashtë fotografëve shqiptarë të cilët e kanë bërë një punë me lokacion në Spanjë dhe pas bisedës me Sevdailin, mesazhin që këta fotografë kanë dashur të japin është promovimi i botës së egër të Spanjës dhe në të njëjtën kohë edhe ta kthejnë vëmendjen e Spanjës tek Kosova”, u shpreh Pajaziti.
Në hapjen e kësaj ekspozite, për KultPlus foli edhe vetë përfaqësuesi Sevdail Sulejmani i cili shpalosi mesazhin dhe detaje të tjera rreth realizimit të këtyre fotografive.
“Fotografitë i kemi realizuar në Valencia, në rrethinën e Valencias, ekspedita ka zgjatur tri ditë, ndërsa mesazhi është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Spanja. Ideja ka lindur përderisa ishim në Spanjë pastaj u munduam ta organizojmë sa më shpejt që të mundohemi ta kemi gati në prag të festës së pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Sulejmani i cili më tutje tha se këto fotografi janë realizuar nga data 25 deri më 28 dhjetor të viti 2022.
I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, i cili është edhe njohës i kulturës spanjolle.
“Sonte është mbrëmja e Sevdail Sulejmanit dhe kolegëve të tij fotografë. Këto janë fotografi pothuajse të gjalla, duken kaq mahnitëse sa që këto shqiponja duken pothuajse sikur janë të gjalla dhe po na shikojnë në sy”, tha Sidheri duke folur për ndjesitë e tij sapo i pa këto imazhe të paraqitura në ekspozitë.
E për fund fjalën e mori gazetarja Vera Pelaj, e cila vlerësoi lart punën e fotografit Sulejmani, jo vetëm në këtë ekspozitë por edhe të punës së tij të mëhershme.
“Kam parë shumë fotografi të Sevdail Sulejmanit e që janë të mahnitshme. Para disa javësh ai më tregoi që do të organizojë një ekspozitë bashkë me fotografë të tjerë, pavarësisht që nuk është një ekspozitë personale më vjen shumë mirë që jam prezentë këtu për të parë këto imazhe e në të cilat është edhe shqiponja, e që njihet si simbol kryesor i shqiptare shtuar këtu edhe mesazhin që kjo ekspozitë përcjell”, tha mes tjerash Pelaj.
Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita e hapur më 16 shkurt do të qëndrojë e hapur për dy javë e të gjithë të interesuarit do të mund ta vizitojnë atë në KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com