17 Shkurt, 2023 - 6:07 pm
Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se, “Kruja është një nga qytetet e para që ka përqafuar nismën e qeverisë, Bonusin e Rijetësimit”.
Ministrja Margariti, së bashku me ministren e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, kryetarin e bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe deputetë të zonës, zhvilluan takimin e radhës me banorë e artizanë, për të ndarë mundësitë që ofron ky vit nga Bonusi i Rijetësimit dhe Bonusi i Artizanëve.
Sipas saj, janë dy bonuse që ruajnë, rijetësojnë dhe përcjellin trashëgiminë kulturore materiale e jomateriale.
Margariti tha se, për mirëmbajtje dhe konservim ofrohet një bonus deri në 1 milion lekë, ndërsa për restaurim dhe rijetësim deri në 6 milionë lekë. Afati i aplikimit, 10 mars 2023.
Ndërsa ministrja Ekonomi theksoi se, kjo është një thirrje e hapur për këdo që do të restaurojë dhe rijetësojë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike dhe lagje brenda kalave.
“Kjo është një mundësi e artë për të zhvilluar më tej potencialin turistik të Krujës, duke krijuar dhe përmirësuar kapacitetet akomoduese dhe jo vetëm”, u shpreh Margariti./atsh/ KultPlus.com