22 Shkurt, 2023 - 3:29 pm
Në një ceremoni madhështore të organizuar nga KOK-u, MKRS e FXHK, është promovuar libri “Kryemjeshtri”, i autorit Arsim Maxhera, që iu dedikua trajnerit më të suksesshëm shqiptar, Driton Kuka, përcjell KultPlus.
Kryemjeshtri Kuka, ka arritur që në cilësinë e trajnerit të fitojë tri medalje të arta olimpike, dhjetëra medalje botërore, evropiane, dhe në gara tjera të shumta, duke e lartësuar Kosovën edhe në vendet që nuk e kanë njohur shtetin tonë.
Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, çmoi lartë veprën e kryemjeshtrit Kuka, por përgëzoi edhe autorin Maxhera për punën e bërë, derisa theksoi se sukseset do të qëndrojë edhe në zyret e KOK-ut për t’u përdorur për mysafirë special, të cilët do të njihen me madhështinë e sukseseve të xhudos, suksese të cilat uroi të rriten në LO Paris 2024.
Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, u shpreh se kudo që ka udhëtuar është pyetur për suksesin e madh të xhudos sonë, e që theksoi se çelësin e këtij suksesi e di më së miri Driton Kuka, të cilin e quajti personalitet përtej personaliteteve të njohura edhe nga bota e politikës.
Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, po ashtu foli fjalë të mëdha për punën dhe përkushtimin e trajnerit Kuka, si dhe të gazetarit Maxhera.
Autori i “Kryemjeshtrit” tregoi detaje të punës së tij tri-vjeçare në përmbledhjet e karrierës së Kukës, duke thënë se ka qenë tejet kërkues nga Toni, ashtu siç është ai me xhudistët e tij.
Në fund, ishte koha për të dalë në skenë vetë kryefjala e ceremonisë, Driton Kuka. Trajneri më i në botë për vitin 2021, vlerësoi lartë punën e autorit, por gjithashtu falënderoi të gjithë ata që kontribouan në karrierën e tij të suksessshme, e veçanërisht xhudistët, të cilët falë tij, bënë krenarë jo vetëm Kosovën, por gjithë shqiptarinë, duke shpresuar se ky libër do të plotësohet me suksese të reja të garuesve të tij.
E veçantë ishte edhe videoja e realizuar nga KOK-u, në të cilën përmblidheshin pjesë të sukseseve kryesore të xhudistëve nga podiumet olimpike, karriera e Kukës dhe ngritja e flamurit tonë edhe në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Në ceremoninë e organizuar në amfiteatrin e Institutit “Ali Hadri” të pranishëm ishin edhe kampionet olimpike, kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, liderët e partive politike, Memli Krasniqi (PDK) e Ramush Haradinaj (AAK), figura tjera të larta nga sporti, arti e kultura, të cilët patën mundësinë të marrin nga një libër me nënshkrim të trajnerit dhe autorit. / KultPlus.com