12 Mars, 2023 - 9:30 am
Muzeu Ikonografik “Onufri’ në Berat në dy muajt e parë të vitit ka shënuar fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina tha për Atsh-në se “në dy muajt e parë të vitit 2023 kemi pasur 1762 vizitorë që rezulton në rritje prej 173 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
Sipas tij, vizitorët janë vendas, por dhe të huaj kryesisht spanjollë, italianë, francezë etj, shkruan Atsh. Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1.500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Beratit dhe Myzeqesë.