12 Mars, 2023 - 10:05 pm
Figura pionere e Hadi Shehut është sinonim i zhvillimeve të rëndësishme në skenën tonë të kulturës teatrore, kinematografike e televizive ku ka lënë gjurmë të mëdha si aktor dhe themelues i Teatrit profesionist të Gjakovës që sot me të drejtë bartë emrin e tij. Humbje kjo për kulturën e teatrit dhe kinematografinë e Kosovën të cilës tash i mungon një personalitet i çmuar me kontribut të pandalshëm.
Ai ka drejtuar Teatrin profesionist të Gjakovës prej 1981 – 1996 dhe prej vitit 1999 – 2006, e me mbi 170 role, kariera e tij si aktor ka përfshirë teatrin, filmin dhe mediumin televiziv.
Në mes të kësaj veprimtarie kolosale me role në Teatrin e Gjakovës, Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Tiranës, dhe në Teatrin e Pejës veçohen: – “Fisheku në pajë” (Gjeloshi), “Epoka gara Gjyqit” (Sulejman Vokshi), “Pjata e drunjtë” (Lon Denisoni), “Dragoi i Dragobisë” (Bajram Curri),”Pirrua” (Pirrua), ”Armiku i popullit” (Dr. Stokmani), “Monserati” (Monserati), “Halili e Hajria” (Halili), ndër të tjera.
Hadi Shehu gjithashtu ka shkëlqyer në role filmike si “Si të vdiset” (1972), “Kur pranvera vonohet” (1979), “Era dhe Lisi” (1979), “Gjurmë të bardha” (1980), “Përroi vërshues” (1983), “Pikniku” (1986), “Era e mollës” (1995), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), “Azem Galica” (2011) dhe poashtu në video-filmat “Buka e hidhur”, “Rruga pa kthim”, “Fantazmat lodrojnë”, “Vrasësit bëjnë dasëm natën”, etj.
Veprimtaria e tij e bujshme është shpërblyer me çmime të ndryshme si “Shpërblimi i Dhjetorit”, “Medalja e Punës”, “Çmimi për të Arriturat Artistike” (Beograd) për rolin e Betim Kosovës në filmin “Kur pranvera vonohet”, “Shenja e Artë” (Trebinje), si dhe me mirënjohje të shumta në festivale të ndryshme.
Ai është nderuar poashtu me “Çmimi për Vepër Jetësore” (2005) nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, “Statuja e Nënë Terezës” në spektaklin televiziv “Me shumë dashuri” (2008) në Tiranë (Shqipëri), “Medalja Presidenciale e Meritave” (2013) nga Presidenca e Republikës së Kosovës, “Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore” (2012) nga MKRS.
Kontributi i tij per zhvillimin e kulturës Kosovare në profilet e teatrit dhe kinematografise do të mbetet si një prej shembujve më të fuqishëm për tu pasuar nga gjeneratat e reja. /KultPlus.com