25 Mars, 2023 - 9:00 am
Objekte të trashëgimisë prehistorike nga Shqipëria janë pjesë e një ekspozite ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Studimeve Albanologjike në një postim në rrjetet sociale, e cila thekson se “këto objekte nga fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe koleksioni i Muzeut Arkeologjik në Tiranë, janë pjesë e ekspozitës lëvizëse në Amerikën e Veriut, e titulluar “First Kings of Europe” (Mbretërit e parë të Evropës), me organizues një prej muzeve më të mëdhenj në SHBA, Field Museum of Natural History, në Chicago-SHBA”.
Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 institucione nga 11 vende të Evropës Juglindore.
Ekspozita ka si temë kryesore periudhën e formimit të elitave sociale dhe politike gjatë prehistorisë së vonë në Ballkan, nga komunitetet bujqësore egalitare të periudhës së Neolitit, tek elitat e konsoliduara të fundit të periudhës së Hekurit.
Shqipëria përfaqësohet në këtë ekspozitë me 17 objekte, të cilët datojnë në një interval kohor që prej 4 500 vjet më parë ose nga periudha e hershme e Bronzit, deri në 2400 vjet më parë, kur objekte të elitave lokale ilire shfaqen në varreza. Të gjitha objektet vijnë nga varreza të ndryshme tumulare të gërmuara në Shqipëri, nga veriu në jug të vendit.
Objektet e përzgjedhura në përputhje me tematikën e ekspozitës tregojnë histori të ndryshme: besimet dhe ritualet mortore që shoqëronin të vdekurin gjatë periudhës së Bronzit të hershëm, siç janë grupi prej gjashtë figurinash prej balte që shoqëronin varrin qendror të tumës 6 të Shtojit në rrethin e Shkodrës; elitat ushtarake dhe politike, të cilat përfaqësohen nga armë të ndryshme bronzi dhe hekuri apo objekte të panoplisë ushtarake, siç është helmeta ilire nga tumat e Çinamakut në rrethin e Kukësit; stolisjen e pasur të veshjes së femrave nga zona e Matit dhe Shkodrës, të cilat spikasin për origjinalitetin e kompozimit të tyre; objekte importi luksi, tregues të një statusi të spikatur, siç është vargu prej rruazash prej guri gjysmë të çmuar ose kornaline nga varreza e Rehovës në zonën e Kolonjës, apo kantari atikas me figura të kuqe, nga varri i një prijësi ilir nga zona e Matit; por dhe prodhime elegante dhe origjinale të qeramikës lokale, siç janë kantarët lokalë të kulturës ilire nga veriu i Shqipërisë.
Njëkohësisht, një pjesë e objekteve të përzgjedhura, përmes stileve, materialeve, tipeve që përfaqësojnë, janë dëshmi e pjesëmarrjes së territorit të sotëm shqiptar në rrjetin kompleks të tregtisë dhe shkëmbimeve ndër-rajonale me kulturat fqinje, me Greqinë, Ballkanin dhe Evropën Qendrore, por dhe me kulturat e bregut perëndimor të Adriatikut, në Gadishullin Italik.
Puna për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt u drejtua nga Dr. Rovena Kurti, në bashkëpunim me Dr. Rudenc Ruka dhe Prof. Luan Përzhita, Instituti i Arkeologjisë/Akademia e Studimeve Albanologjike.
Krahas përgatitjes së ekspozitës, nën kujdesin e kolegëve amerikanë, Attila Gyucha dhe William A. Parkinson, arkeologë nga vendet pjesëmarrëse kanë kontribuar në botimin e një monografie për publikun e gjerë, rreth tematikave të ndryshme që trajton ekspozita si dhe në përgatitjen e një katalogu të objekteve të ekspozuara, i cili do të dalë së shpejti nga shtypi./atsh/KultPlus.com