Muzeu i Artit i Tel Avivit mbyllet pjesërisht në mbështetje të “ditës së paralizës”

28 Mars, 2023 - 12:05 pm

Muzeu më i vjetër i artit i Izraelit i bashkohet protestave mbarëkombëtare kundër ligjeve të reja të diskutueshme të qeverisë, në atë që filantropisti i arteve Batia Ofer e përshkruan si “luftë për demokracinë tonë”.

Muzeu i Artit i Tel Avivit, muzeu më i vjetër i artit në Izrael, i është bashkuar protestave mbarëkombëtare kundër reformave në gjyqësor të qeverisë izraelite, shkruan TAN.

Të enjten (23 mars), muzeu mbylli ekspozitat dhe anuloi bisedimet dhe turnetë publike.

Një deklaratë për shtyp e përshkroi mbylljen si një akt proteste kundër “intensifikimit të hapave të qeverisë drejt miratimit të legjislacionit antidemokratik”.

Megjithatë, një pjesë e koleksionit mbeti e hapur pa pagesë si një “qëndrim mbështetjeje për krijimin vendas”.

“Këto janë ditë historike për vendin tonë dhe shoqërinë izraelite”, tha Tania Coen-Uzzielli, drejtoresha e Muzeut të Artit të Tel Avivit.

“I inkurajoj të gjithë të marrin një qëndrim, çfarëdo qoftë ai, dhe të ndikojnë në të ardhmen e këtij vendi.”

Menaxhmenti i muzeut informoi stafin se ata ishin të lirë t’u bashkoheshin protestave në rrugë në atë që quhej “dita e paralizës”.

Përpjekjet e qeverisë së krahut të djathtë të Benjamin Netanyahut për të ushtruar kontroll më të madh mbi gjyqësorin dhe për të mbrojtur kryeministrin nga shkarkimi, kanë nxitur qindra mijëra izraelitë të dalin në rrugë për një periudhë prej muajsh.

Ehud Olmert, ish-kryeministri i Izraelit, i është bashkuar protestave, si dhe figura të larta nga shërbimet e sigurisë dhe emra të shquar nga biznesi izraelit dhe sektorët akademikë./KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme