27 Mars, 2018 - 3:35 pm
Baleti të rrëmben në botën magjike, duke shprehur me gjuhën e trupit dashurinë, dhembjen, mallin…copëza jete. Kështu na vjen edhe ky koleksion nga dizajneria e njohur kosovare Merita Harxhi Koci, shumë unik, “pikturuar” me të gjitha ngjyrat e ylberit, prerje dhe modele për rastet tuaja speciale, por mbi të gjitha shumë komode, shkruan KultPlus.
Në bashkëpunim me fotografin Shenoll Zehri, balerinën Aulonë Nuhiu, dizjaneria Merita Harxhi Koci “troket” në stinën e pranverës me këtë minikoleksion, i cili vë theksin te gjatësia, materiali shumë cilësor dhe ngjyrat. Për ato që duan modën dhe artin, për ato që e duan thjeshtësinë, por me hijeshi edhe elegancë, për ato që duan të duken të veçantë, ky koleksion është adresa e duhur.
Dizajneria Merita Harxhi Koci, gjithmonë është fokusuar në realizimin e fustaneve të mbrëmjeve madhështore, si një festim i personalitetit të gruas, të sofistikuar dhe elegante në masën e duhur./ KultPlus.com