14 Prill, 2023 - 11:06 am
Në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës 1998-99.
Kryeministri është shprehur se heshtja që mveshë këtë krim lufte i pengon të mbijetuarat që të kërkojnë mbështetjen dhe drejtësinë e merituar. Andaj është e domosdoshme përkrahja e pakushtëzuar shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Postimi i plotë i kryeministrit:
Sot nderojmë gratë e forta që treguan të vërtetën për krimet e Serbisë në Kosovë. Marte Tunaj, Vasfije Krasniqi Goodman e Shyhrete Tahiri Sylejmani, me guxim e forcë të pashembullt, u bënë zëri i mijëra grave e burrave të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Çdo ditë solidarizohemi me të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit. Mund të mos ua dimë emrat, por forcën ua dimë.
Duke njohur dhimbjen dhe vuajtjet e grave dhe vajzave, të burrave dhe djemve, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, 14 prillin e kemi shpallur Ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Heshtja që mveshë këtë krim lufte i pengon të mbijetuarat që të kërkojnë mbështetjen dhe drejtësinë e merituar. Andaj është e domosdoshme përkrahja e pakushtëzuar shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale. / KultPlus.com