28 Mars, 2018 - 11:56 am
Sot në Muzeun e Kosovës është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Këto çmime janë ndarë nga ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kujtim Gash, shkruan KultPlus.
Adem Bungurit, iu nda Çmimi për Veprimtari jetësore “Dea Dardanicae” kurse Fatmir Peja mori çmimin Vjetor për Merita të Veçanta “Shtjefën Gjeqovi”, Çmimi Vjetor për Vepër Shkencore “Zef Mirdita”, iu nda Florina Jerliut dhe Çmimi Vjetor për Menaxhim Instutucional “Muhamed Shukriu”, iu nda Sabit Sylës.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se për të si ministër është kënaqësi e veçantë që po ndahen këto çmime ndërsa shtoi se MKRS-s është vazhdimisht në mbështetje të promovimit të trashëgimisë kulturore.
“Nuk kam dyshim që juria profesionale ka vendosur drejt. Unë si ministër jam mirënjohës për punën që keni bërë në fushën e Trashëgimisë Kulturore por kjo nuk mbaron këtu sepse ne do vazhdojmë të gjejmë rrugë të reja për të qenë vazhdimisht me ju ”, u shpreh ministri Gashi.
Në emër të jurisë foli Nuri Bexheti i cili tha se Bunguri është njëri nga klasikët më të mëdhenj të arkeologjisë.
“Shquhet me tezën e tij ku argumenton me këmbëngulësi për lidhjen e botës dardane me atë ilire”, u shpreh Bexheti.
Vet Bunguri i cili vjen nga Shqipëria pasi pranoi këtë çmim u shpreh se është kënaqësi e veçantë që po nderohet me këtë çmim e veçmas që këto çmime po ndahen në vitin kur Kosova mbush dhjetë vite shtetësi.
“Kosova për ne andej kufirit ka qenë një mollë e ndaluar. Ajo që dua të them unë pa e zgjatur është se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike që është një burim dhe një arkiv e jashtëzakonisht e pasur që na jepet në dorë për te evidentuar ndonjëherë historinë e deformuar antike të Kosovës”, u shpreh Bunguri sot.
Çmimi Vjetor për Merita të Veçanta “Shtjefën Gjeqovi”, iu nda të ndjerit Fatmir Pejës. Në emër të familjes këtë ecim e mori Fatos Peja i cili falënderoi Ministrinë e Kulturës dhe Jurinë për këtë çmim ndër shtoi se do të donte shumë që ai të ishte i pranishëm që ta marr këtë çmim.
“Ky vend ishte një vend shumë i veçantë për babain dhe veprimtarinë e tij jetësore. Ata që e kanë njohur e kanë ditur përkushtimin profesional i tij ka qenë i palodhshëm, do te donim qe të ishte ai këtu dhe ta pranoi këtë çmim për vepra e tij vazhdon të jetoj”, u shpreh Fatos Peja
Sabit Syla sot pranoi çmimin Vjetor për Menaxhim Institucional “Muhamed Shukriu”. Syla në këtë ceremoni tha se ky është një motivim për të çuar më tutje punën e Institutit të Historisë pasi që dihet fakti se Instituti i Historisë është një institucion i rëndësishëm lidhur me historinë dhe trashëgiminë e Kosovës.
“Ky çmim na motivon edhe më shumë në angazhimin tonë profesional dhe shkencor”, tha Syla.
Po ashtu në fund të kësaj ceremonie, të pranishmit patën mundësinë ta shohin edhe një film të shkurtër me përmbajtje nga jeta e Fatmir Pejës./ KultPlus.com