17 Prill, 2023 - 5:00 pm
11 prodhues shqiptarë të talentuar, që tashmë kanë krijuar markë me prodhimet e tyre autentike u prezantuan në Panairin “Slow Food” 2023, Stuttgart, të Gjermanisë si pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pvr promovimin e prodhuesve shqiptarë dhe zgjerimin e bashkëpunimeve në tregjet të reja ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në panair me mbështetjen e MBZHR dhe nënkujdesin e veçantë të ministres së Bujqësisë Frida Krifca, ishte rast shumë i mirë për të parë zhvillimin e prodhimeve shqiptare që nuk janë thjesht vetëm bujqësore, blegtorale por vijnë të përpunuara si një cikël i plotë.
Ministrja Krifca publikoi fotogalerinë e pjesëmarrjes në panair, ku i pranishëm ishte edhe ministri Federal i Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Ozdemir.
“Këto produkte ushqimi janë pasaportë e rëndësishme e traditës, cilësisë, shijes dhe ritualeve të territoreve më të thella të Shqipërisë nga jugu e deri në veri vendit. Janë pikërisht këto prodhime autentike që po zgjojnë vlerë të shtuar në agroturizmet lokale, po zgjerojnë kërkesën për eksporte dhe po inkurajojnë angazhmin e banorëve të këtyre zonave, për të shtuar prodhimin që është mjaft i kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj”, tha ministrja Krifca.
Prodhimet tipike me bazë gjeografike janë një shembull shumë i mirë sesi funksionon përparimi e mbështetja e bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri.
Ministrja shprehu angazhimin për një mbështetje të vazhdueshme në këtë sektor, ku veçoi edhe përkrahjen e prodhuesve për promovimin e tyre në panairet ndërkombëtare.
“Panairi “Slow Food” 2023, Stuttgart, Gjermani, një tjetër mundësi që afroi prodhuesit tanë me tregjet ndërkombëtare më të sofistikuara, ku u prezantuan denjësisht përmes shijes, cilësisë, njerëzores”, tha ministrja. “Thjesht, ekselencës shqiptare”, theksoi ajo.
45 produkte të kultivuara, të vjelura apo të përpunuara në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, përgjatë bregdetit apo në vargmalet malore ishin pjesë e stendës shqiptare në Panairin “Slow Food” në Shtutgard.
Krifca ishte e pranishme me ftesë të posaçme të ministrit Federal të Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Ozdemir, në Panairin Slow Food 2023, Stuttgart, Gjermani, ku morën pjesë mbi 700 ekspozues nga e gjitha bota./atsh/KultPlus.com