19 Prill, 2023 - 10:30 pm
Shqipëria do të marrë pjesë në panairin e librit në Leipzig 2023 në bashkëpunim me projektin TRADUKI, ku këtë vit vendet e Evropës Juglindore prezantojnë letërsinë dhe autorët e tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada gjermane në Tiranë, e cila informon se, nga data 27 deri më 30 prill në “Traduki Kafana” do të zhvillohen më shumë se 15 evente.
Ambasada bën të ditur se, “Shqipëria shkon në Panairin e Librit në Leipzig 2023 me një katalog me mbi 100 botime të reja të suksesshme të vitit të kaluar. Aktivitetet letrare fokusohen në njohjen e autorëve të rinj premtues që janë vlerësuar me çmime të rëndësishme letrare”.
Në bashkëpunim me Tradukin, autorja Lindita Arapi prezanton librin e saj “Motrat Shqiptare” dhe Arian Leka librin e tij “Porta e Mbyllur”. Lindita Arapi është një shkrimtare dhe gazetare shqiptare me banim në Gjermani. Në vitin 2011, romani i saj i parë “Vajzat me çelës në qafë” u vlerësua si Libri i Vitit në Shqipëri.
Arian Leka është një poet dhe eseist shqiptar i cili ka marrë disa çmime letrare./ KultPlus.com