25 Prill, 2023 - 2:18 pm
Nisën dje në Vlorë, aktivitetet e organizuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kuadër të Projektit Circe PLus, financuar me fondet Interreg-IPA CBC Italy-Albania-Montengro, në partneritet me Apulia Film Commission, Filmski centar Crne Gore dhe Regione Molise.
Aktivitetet nisën me Konferencën “Shfrytëzimi i hapësirave publike urbane, për kinema të hapura, në bashkitë e Shqipërisë – si një mënyrë e transformimit të praktikave kulturore”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të QKK, Projektit Circe, projektit “Bashkitë për Evropën”, Agjencisë së Industrisë Kreative dhe përfaqësues të departamenteve të kulturës nga 35 bashki të Shqipërisë.
Në konferencë u diskutua rreth promovimit dhe strategjive kreative me incentiva fiskale ose shërbime të tjera për të tërhequr projekte audiovizuale në territorin e bashkive përkatëse gjë që do të sjellë edhe zhvillim ekonomik lokal.
Gjithashtu është vënë theksi tek shpërndarja dhe administrimi i buxheteve vendore në lidhje me projektet kulturore e veçanërisht kinematografike.
Konferenca fton për shfrytëzimin e hapësirave publike urbane për kinema të hapura, në bashkitë e Shqipërisë. /atsh / KultPlus.com