29 Prill, 2023 - 3:00 pm
Juria prestigjioze e Muza Competition ka përzgjedhur 10 finalistët që do të marrin pjesë në finalen e madhe që do të bëjë bashkë të gjitha trevat shqipfolëse në Tiranë në muajin qershor.
Në fazën fillestare aplikuan 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët prezantuan koleksionet e tyre në fushën e modës dhe të dizajnit. Drejtore Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon Andriola Kambo, theksoi se ky projekt është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata të rinj dhe të reja që të mund të promovohen dhe në tregun ndërkombëtar.
“Jemi duke punuar ndërkohë dhe për revistën e Muzës që është një risi e re, për t’u dhënë mundësi dhe për t’i dhënë një zë këtyre të rinjve të fashion dizajn të kenë një dritare të tyre dhe të shtrihen në rajon dhe më gjerë në tregun ndërkombëtar. Është një mundësi e shkëlqyer për ta. Po implementojmë një model të suksesshëm që ka ndodhur në Milano, në Francë dhe ne po shohim se si ta shfrytëzojmë këtë në pjesën e turizmit dhe të promovojmë nëpërmjet një elementi të trashëgimisë tonë kulturore, një rajon të caktuar”, tha Kambo.
Moderatorja e njohur, Rudina Magjistari tha se kjo pjesëmarrje e lartë i dedikohet suksesit të Muza Competition në vitin e parë, ku finalistët kanë tashmë një vazhdimësi të suksesshme në fushën e modelingut.
“Është një projekt vërtet shumë i bukur i cili ka pasur një produkt të jashtëzakonshëm në edicionin e tij të parëm Muza Competition 1. Dhe fakti që të gjithë ata fitues të vitit të kaluar patën më pas një vazhdimësi shumë të suksesshme, ishte shumë e natyrshme që kjo të sillte dhe një pjesëmarrje shumë të gjerë në këtë edicion të dytë. Është ky projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon me në krye sigurisht drejtuesen Andriola Kambo, i mbështetur nga Bashkia e Tiranës që në edicioni e parë. Kështu që është një projekt vërtet serioz i organizuar me shumë përkushtim dhe që duket se rezultat po i jep të tilla. Janë vlerësuar të rinj të talentuar dhe unë uroj që dhe sivjet të kemi po aq të tillë të cilëve do t’u çelet padiskutim një rrugë e shkëlqyer drejt së ardhmes së tyre në fushën e modës dhe të dizajnit”, nënvizoi Magjistari.
Pas suksesit, jehonës dhe energjisë së papërshkrueshme të edicionit të parë, Muza Competition është në sezonin e saj të dytë. Muza Competition është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit.
Finalja e madhe do të mbledhë të gjitha trevat shqip-folëse në Tiranë në muajin qershor, ku 10 finalistët do të mund të shfaqin koleksionin e tyre në një spektakël madhështor i cili do të kurorëzojë dhe fituesin e madh.
Juria prestigjioze e Muza Competition, pasi analizoi të gjitha aplikimet, arriti të përzgjedhë 10 finalistët, të cilët janë:
1. Besa Mahmudi
2. Elitë Sherifi
3. Frenki Ceko
4. Frontin Hasani
5. Kevser Emini
6. Klara Kazani
7. Klevisa Shkaba
8. Liridona Hajdari
9. Sara Kadrija
10. Vitore Ndreca./atsh/ KultPlus.com