29 Prill, 2023 - 4:30 pm
Atmosferë festive e vintage, muzikë dhe zhurma e makinave të vjetra iu rikthye Tiranës në këto ditë të fundit të prillit, ndërsa nostalgjikët kanë mbushur sheshin “Skënderbej” ku po ekspozohen mjetet historike.
Makinat, një ndërthurje e bukur e traditës, bashkëkohores dhe të vjetrës, janë vizituar nga qytetarë të shumtë që fiksuan në telefonat e tyre fotografi para këtyre makinave.
Sheshi “Skënderbej” dukej si një ekspozitë e hapur ku makinat historike të japin ndjesinë se po jeton në një tjetër periudhë kohe.
Qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” shprehën nostalgjinë dhe kuriozitetin e tyre për këto makina. Makinat retro kanë ngjallur nostalgjinë e më të vjetërve dhe kuriozitetin e më të rinjve.
Eskpozimi i mjeteve retro u organizua ndërsa mbahet në Tiranë simpoziumi “Bashkëpunim dhe partneritet me Qeverinë dhe institucionet e tjera”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe RETRO Albania, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA).
Përzgjedhja e Shqipërisë si vendi mikpritës në organizimin e këtij simpoziumi, vjen pak muaj pas anëtarësimit të shumëpritur të RETRO Albania në FIVA, në nëntor 2022./atsh/KultPlus.com