12 Maj, 2023 - 1:05 pm
Qytetarët e Tiranës janë të ftuar t’i bashkohen festës së inaugurimit të Mozaikut të fasadës së Muzeut Historik Kombëtar të restauruar.
Aktiviteti do të zhvillohet më 16 maj 2023, në orën 19:00 në sheshin Skënderbej, si pjesë e Javës së Evropës.
Ky restaurim u mundësua falë programit ‘EU4Culture’, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Ceremonia e inaugurimit do të pasohet nga një koncert dhe një shfaqje me drita e projektuar mbi mozaik nga një artist i njohur i artit pamor.
Në nëntor të vitit 2019, Shqipëria u godit nga tërmeti më vdekjeprurës i 50 viteve të fundit, me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter. Efektet e tij shkaktuan dëme të mëdha në 11 bashki, duke përfshirë objekte të shumta të trashëgimisë kulturore, midis tyre edhe Mozaikun.
Në përgjigje të kësaj krize, Bashkimi Evropian nisi projektin EU4Culture, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.
Ky projekt synon restaurimin dhe rivitalizimin e siteve kulturore që u dëmtuan nga tërmeti dhe është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga BE në mbarë botën, me një buxhet total prej 40 milionë euro.
Mozaiku ikonë i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar konsiderohet si një nga veprat më të mira të realizmit socialist të vonë shqiptar. I vendosur në vitin 1981, ai shfaq, në sipërfaqen prej 565 m2, disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit, që nga antikiteti deri në epokën komuniste. Dizajni i tij i ndërlikuar është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. / atsh / KultPlus.com