Kolë Tromara, intelektuali i pushkatuar nga Gjyqi Special

15 Maj, 2023 - 2:11 pm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, publicistin, veprimtarin, ministrin e shtetit shqiptar, Kolë Tromara (15 maj 1885 – 13 prill 1945).

Tromara lindi në Qytezë të Devollit. Mësimet e para i mori në Korçë e më pas në Greqi. Punoi fillimisht si farmacist në Korçë.

Për shkak të përndjekjes nga autoritetet osmane, u detyrua të largohej drejt SHBA, në Boston. Më 1906 ndihmoi Kristo Kirkën në botimin e gazetës, “Kombi”. Më 1907 u caktua sekretar i shoqatës “Besa-Besë” ku kryetar ishte Fan Noli. Më 1915 u emërua sekretar i federatës “Vatra” e më pas kryetar i saj.

Themelues i bandës muzikore të Vatrës. Loboi për çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Në vitin 1920 u kthye në Shqipëri ku themeloi Federatën “Atdheu”, së bashku me Avni Rustemin, Bedri Pejanin, Ahmet Daklin etj.

U zgjodh dy herë si prefekt i Gjirokastrës dhe më pas deputet i prefekturës Korçë më 1923.

Me triumfin e Legalitetit Kolë Tromara u largua nga Shqipëria. Ai u dënua në mungesë me 15 vjet burg për shkak të mbështetjes ndaj Nolit. U kthye në vitin 1939 dhe u bë pjesë e komitetit qendror të Ballit Kombëtar, si një ndër themeluesit. Në vitet 1942-43 shërbeu dhe si prefekt i Korçës.

Dha dorëheqjen si një nga krerët e Ballit Kombëtar dhe u caktua ministër i Kulturës Popullore në qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë pushtimit nazist. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, u arrestua dhe u dënua me pushkatim më 13 prill 1945 nga Gjyqi Special. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme