17 Maj, 2023 - 4:36 pm
Një ekspozitë e studiuesit Pjetër Logoreci me fotografi të aktorit austriak me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiut, është hapur sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Studiuesi shkodran pas një hulumtimi të realizuar në arkivat e Vjenës, ka arritur të nxjerrë 44 fotografi nga çaste të ndryshme të jetës së aktorit të ndjerë, të cilat paraqesin shumë qartë nivelin e lartë artistik e elitar të tij.
Fotografi me nënën, me bashkëshorten dhe familjarë të tjerë të tij, ishin të ekspozuara të parat, duke treguar edhe kronologjikisht rrjedhën e jetës së tij prej burimit, familjes.
Fototgrafi të dokumenteve si ajo e pagëzimit, martesës, fotografi të realizura gjatë roleve të tij në teatër, fotografi me kolegët, të dekoratave të cilat i kishte marrë aktori, po ashtu qenë pjesë e ekspozitës të cilat i shpjegonin shumë qartë etapat e jetës së tij.
Ndërsa të fundit qenë një fotografi e arkivolit me trupin e pajetë të aktorit, dhe tjetra nga ceremonia e mortore e tij.
Gjatë prezantimit të fotografive, studiuesi tregoi për vizitorët e ekspozitës edhe një deklaratë të autorit Franc Kafka duke treguar për zërin e kristaltë të autorit dhe tenorit Moisiu.
“Ai fliste me sy, por ai ka poseduar edhe diçka që askush tjetër nuk e ka pasur, zëri i tij ishte kumbues, sepse ka qenë tenor. Kafka ka qenë mik i tij, ai e përshkruan zërin e tij duke thënë që zëri që del prej tij, arrin në majat më të larta të teatrit të Vjenës, bënte jehonë nëpër sallë dhe vinte përsëri në veshin e dëgjuesit, kaq kumbues ka qenë zëri i tij”, ka thënë Logoreci.
Fjalimin e tij studiuesi Logoreci e përmbylli duke e quajtur gjeni dhe Ajnshtajn shqiptar, aktorin Aleksandër Moisiu./KultPlus.com