19 Maj, 2023 - 8:15 pm
Veshjet tradicionale të zonës së Manastirit dhe ato të Pustecit kanë një sërë elementesh të përbashkëta, që dëshmojnë zhvillimin kulturor dhe historik, e veçanërisht zhvillimin e veshjeve urbane të cilat janë shfaqur më një ekspozitë të organizuar në ditën e muzeve në shtëpinë muze të Sterjo Spases.
Krah kostumeve tradicionale të Pustecit që janë pjesë e fondit të muzeut janë shfaqur edhe fotografi të kostumeve të zonës së Manastirit me elemente të cilat datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të ndërsa ekspozimi i tyre shihet si një mundësi e mirë për shkëmbimin kulturor
Muzeu i Sterjo Spases i hapur vetëm 1 vit më parë është i vetmi atraksion kulturor në bashkinë e Pustecit përmes të cilit synohet tërheqja e vizitorëve.
Bashkia e vogël njihet për peisazhin natyror që tërheq vëmendjen e turistëve dhe pasurimi i ofertës për ta mbetet ende një sfidë
“Erdhëm fillimisht në Berat, me pas erdhëm në Korçë e tani jemi në parkun kombëtar të Prespës. Gjithçka është fantastike, natyra, vend shumë i bukur, njerëz mikpritës dhe qetësi mahnitëse” , thotë një turiste.
“Erdhëm pamë muzeun, shumë interesant, është hera e parë në Shqipëri ndaj po përpiqemi të shohim gjithçka. Edhe çmimet janë të përballueshme për ne, vend që ja vlen te promovohet” , shprehet një tjetër turist./TopChannel/ KultPlus.com