25 Maj, 2023 - 11:40 pm
Të paktën 162 milionë teleshikues shikuan ”Eurovision Song Contest” (ESC) në tre shfaqje të drejtpërdrejta në mes të majit, deklaroi Trasmetuesi i Bashkimit Evropian(EBU) me seli në Gjenevë.
EBU e bazoi vlerësimin e saj në të dhënat nga 38 transmetues publikë. Shifra përfundimtare ishte 1 milion më shumë se vitin e kaluar.
Gjatë finales së 13 majit në Liverpool, mesatarisht 9.9 milionë njerëz e ndoqën atë vetëm në vendin pritës Britaninë, më shumë se kurrë më parë dhe një rritje prej 22 për qind krahasuar me shifrën britanike të vitit të kaluar.
Po ashtu rreth 8 milionë shikues e ndoqën atë në Gjermani dhe një mesatare mbresëlënëse 2.3 milionë për tre shfaqjet në Suedi, popullsia e së cilës është rreth 10 milionë.
Shifrat përfshijnë audiencën për finalen dhe dy gjysmëfinale, të gjitha të luajtura në Liverpool Arena, me BBC që zëvendësoi transmetuesin publik kombëtar të Ukrainës UA:PBC.
“Platformat dixhitale në internet të Eurovision Song Contest kanë parë angazhim rekord”, theksoi EBU.
“Në total, videot në 4 kanalet sociale (TikTok, Twitter, Instagram dhe Facebook) u shikuan gati 540 milionë herë gjatë javëve të ngjarjes, gati dyfishi i numrit në vitin 2022,” shtoi EBU./KultPlus.com