Filmat më të shikuar të javës në arkat filmike

2 Qershor, 2023 - 10:45 am

Ishte një debutim i suksesshëm për filmin “The Little Mermaid”. Ripërpunimi i fundit i studios “Disney” i filmit klasik të animuar, arriti që për pak ditë t’i arkëtojë më shumë se 95.5 milionë dollarë nga shfaqja nëpër 4,320 kinema të Amerikës Veriore. Projekti i cili në rolin e sirenës Ariel e sjell aktoren dhe këngëtaren, Halle Bailey, dhe armiken e saj Ursula e portretizon ylli i komedisë, Melissa McCarthy, pritet që në javën e ardhshme të vazhdojë të dominojë për nga shikueshmëria.

Në pozitën e dytë këtë javë e gjejmë filmin hit të arkave filmike, “Fast X”, me 23 milionë dollarë të fituara. Pas dy javësh shfaqje nëpër kinematë e Amerikës Veriore, ky projekt i arkëtoi gjithsej 108 milionë dollarë. Në vazhdimin e dhjetë në serinë e filmave aksion, “Fast and Furious Saga”, ngjarja zhvillohet në Vatikan ku kryepersonazhi Dom Toretto dhe ekipi i tij, mundohen ta ndalojnë shpërthimin e një bombe jo të zakonshme. Po ashtu, vihet në fokus arsyeja prapa urrejtjes së personazhit të ri në film, Dante, për protagonistin Toretto, e cila siç duket rrjedh prapa nga vazhdimi i pestë “Fast and Furious”. Dante zbulohet se është djali i Herman Reyes, personazhi i keq të cilin Dom e kishte vrarë gjatë një grabitjeje në Rio De Janeiro. Tani ai po kërkon të marrë hak, duke e kërcënuar familjen dhe ekipin e Torettos, por edhe qindra mijëra njerëz të pafajshëm. Krahas protagonistit Vin Diesel, në “Fas X” po ashtu luajnë aktoret e shpërblyera me “Oscar”, Helen Mirren dhe Charlize Theron, si dhe yjet tjerë të Hollywoodit, Jason Statham, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Ludacris, John Cena, Jason Momoa, Rita Moreno dhe Brie Larson.

Në javën e katërt të lansimi nëpër kinema, “Guardians of the Galaxy Vol. 3”, arriti të pozicionohet në vendin e tretë të arkave filmike dhe t’i fitojë edhe 20 milionë dollarë nga shitja e biletave. Shuma totale e këtij projekti deri më tani e kap shifrën prej 300 milionë dollarësh. Kjo nuk ka qenë performanca më e mirë e mundshme për një film me superheronj, të cilët zakonisht e tërheqin publikun nëpër kinema Megjithëkëtë, projekti më i ri i bazuar në universin kinematik “Marvel”, ka arritur që globalisht t’i fitojë më shumë se 746 milionë dollarë. Në “Guardians of the Galaxy Vol. 3”, superheronjtë e dashur të publikut, Starlord, Gamora, Drax, Nebula, Mantis, Groot dhe Rocket Raccoon, rikthehen në ekran të madh me një mision tjetër për ta mbrojtur universin nga një kërcënim i ri. Rolet kryesore i përsërisin aktorët e njohur tashmë për publikun, Chris Pratt, Zoe Saldaña, Dave Bautista, Karen Gillan, Pom Klementieff, Vin Diesel, Bradley Cooper, Will Poulter, Elizabeth Debicki, Sylvester Stallone, Sean Gunn dhe Maria Bakalova

Në vendin e katërt u pozicionua, “The Super Mario Bros. Movie”, me 6.5 milionë dollarë të fituara ekstra të cilat i shtohen shumës totale të arkëtuar deri më tani në Amerikës Veriore, prej 559 milionë dollarësh. Familjet me fëmijë të vegjël nuk kanë pasur pothuajse asnjë alternativë tjetër, veçse t’i vizitojnë kinematë lokale, që kur u lansua ky film i animuar. Kjo ndihmoi që Super Mario të arrijë shikueshmëri rekorde dhe t’i dominojë arkat filmike. Në nivelin global, filmi i ka fituar 1.2 miliardë dollar nga shitja e biletave.

Ndërsa top-pesëshja u kompletua me filmin “The Machine” me 5 milionë dollarë të fituara në javën e parë të shfaqjes nëpër kinema. Projekti i zhanrit aksion dhe komedi vjen me regji të, Peter Atencios, dhe i inspiruar nga shou humoristik i vitit 2016 i krijuar nga Bert Kreischer. Në rolet kryesore vijnë aktorë, Bert Kreischer, Mark Hamill, Jimmy Tatro, Jessica Gabor dhe të tjerë. / RadioPlus / KultPlus.com

Të ngjajshme