9 Qershor, 2023 - 10:44 pm
Libri “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” i autorit Jurgen Habermas dhe u përkthyer nga Blerta Ismajli është një libër që flet për rrjetet sociale, kulturën politike, kulturën liberale, barazinë sociale, lirinë duke mos iu nënshtruar shtresave kapitale, kritikën ndaj sferës publike, mediatike…, e që për lexuesin kosovar u prezantua edhe nëpërmjet Panairit të Librit në Prishtinë, e që në këtë Panair e ka sjell Shtëpia Botuese “Dukagjini” shkruan KultPlus.
Bekim Baliqi, profesor i Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik, foli për takimin me Habermasin, kontributin e Blertës në përkthimin e këtij libri në gjuhën shqipe, sikurse edhe për përshtatjen e këtij libri.
“Takimin e parë me Jurgen Habermas e kam pas si student në Universitetin e Vjenës. Leximi i Habermasit në gjermanisht nuk ka qenë aspak i lehtë. Kështu që e përgëzoj Blertën për përgjegjësinë që e ka marrë për përkthim”, ka thënë mes të tjerash Baliqi, i cili e vlerëson se këtë libër tashmë mund ta kenë në bibliotekat e tyre edhe lexuesit shqiptarë.
Më pas, sipas tij libri i Habermasit ka një rëndësi të madhe për komunikimin, informimin dhe racionalizimin e kohës së sotme.
Kurse përkthyesja e këtij libri, Blerta Ismajli ka treguar qysh në fillim për ndjesinë e përgjegjësisë në raport me këtë libër.
“E kam ndjerë peshën e përgjegjësisë jo vetëm kur e kam përkthyer por edhe kur ka dalë në botim. Kompoziteti i përmbajtjes dhe stili i tij kërkonin një përqendrim të madh”, ka thënë mes tjerash Ismajli, e cila krejt këtë rrugëtim e ka vlerësuar si një sfidë në vete, pasi që në këtë libër ka shumë nocione dhe terem akademike e shkencore.
Kurse shkrimtari Ag Apolloni në këtë promovim libri ka potencuar faktin se lexuesi shqiptar vonë ka filluar të interesohet për librat filozofik. Ndërkohë, duke iu referuar vështirësive të përkthyeses Ismajli gjatë procesit të përkthimit, Apolloni ka potencuar se Blerta ka pas vështirësi në përkthim, por sipas tij lexuesi nuk do të kenë vështirësi në lexim.
“Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” i Jurgen Habermasit u botua nga Sh.B. “Dukagjini”, dhe sikurse librat e tjerë të prezantuar në këtë panair, edhe y libër mund të merret me çmim më të ultë se në rrethanat e zakonshme./ KultPlus.com