4 Prill, 2018 - 5:57 pm
Ervin Qafmolla
Viktima të diskriminimit në çmime, përndjekjes selektive nga policia, racizmit absurd, plaçkitjes dhe hajnisë sezonale nga parazitët e kësaj ane të kufirit, shqiptarët e Kosovës duhet ta bojkotojnë Shqipërinë këtë vit nëse u ka mbetur sadopak respekt për veten.
Shqipëria i merr kosovarët për të mirëqenë. Një pjesë e banorëve të saj sillen sikur pushuesit, vizitorët, sipërmarrësit apo edhe udhëtarët e rastësishëm nga Kosova duhet ta kenë për nder që vijnë këtu. Si rrjedhojë, është normale që kosovarët të keqtrajtohen me shërbim arrogant, çmime që me raste 10-fishohen, përçmim dhe përtallje apo edhe racizëm të shprehur haptas.
Ka arsye përse sillen kështu. Gjatë vitit 2017, Shqipërinë e vizituan mbi 1.7 milionë kosovarë. Si rrjedhojë, nga kjo anë e kufirit janë mësuar me para nga Kosova, të lehta dhe të garantuara çdo vit. Si rrjedhojë, tarifat vajtje-ardhje në rrugën arna-arna, prej 10 euro për veturat, 22.40 euro për autobusët dhe mikrobusët, 5 euro për motoçikletat (pa llogaritur 32.40 euro për kamionët e mesëm dhe 45 euro për të rëndët) përfaqësojnë një makineri që prodhon para.
Por, kjo tarifë rrugore, me gjasa më e larta në rajon, është në vetvete absurde duke qenë se për çdo litër karburant të blerë në Shqipëri paguhen 24 lekë ekstra si taksë qarkullimi. Ndaj dhe tarifa patriotike është vendosur pikërisht aty ku mjel më shumë, duke cenuar komunikimin rrugor mes dy vendeve, marrëdhëniet ekonomike dhe njerëzore. Ndaj dhe kosovarët duhet të kundërpërgjigjen.
Ata kanë shumë më tepër muskul për ta kontrolluar humorin e sivëllezërve të tyre nga kjo anë e kufirit. Mjafton të mos harrojnë se totali i vizitorëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit që shkoi ishte 5.1 milionë. Kjo do të thotë se vizitorët nga Kosova përbënë rreth 33 për qind të totalit. Pra, në çdo të tre të huaj që vizituan vendin, një ishte nga Kosova.
Kjo do të thotë se duke mos ardhur në Shqipëri për pushime, por duke shkuar diku tjetër, pushuesi i mesëm kosovar ka ndikim të jashtëzakonshëm mbi të ardhurat, punësimin, investimet, mbi vetë ekonominë e Shqipërisë.
Ndaj, kjo është ora e hakmarrjes ndaj këtij vendimi të fundit, i cili tejkalon çdo poshtërim tjetër të konsumuar tashmë, dhe qëndron si gëlbazë mbi fytyrën e çdokujt prej jush që lini Kosovën për të pushuar në Shqipëri, apo për të kaluar këtu edhe një fundjavë të vetme.
Pas bllokadave tregtare të njëpasnjëshme, vonesat historike në projektet e përbashkëta dhe premtimeve populiste që ta fyejnë inteligjencën, qeveria e Shqipërisë tani ju vuri edhe një taksë patriotike.
Kjo është pështyma që merrni në surrat me komplimentet e Qeverisë së Shqipërisë dhe tregtarëve të karburanteve, vetëm sepse deshët “vëllezërit dhe motrat” tuaja. Por, të padenjë për këtë dashuri, këtë nostalgji patriotike, disa prej nesh do vazhdojnë t’ju përçmojnë, vjedhin, keqtrajtojnë dhe shpikin mënyra novatore për t’ju plaçkitur në mënyrë të ligjshme.
Në këtë pikë kthese, në këtë shpërthim të shëmtisë dhe hipokrizisë së çdo deklarate patriotike bërë nga një qeveri, ju duhet të kundërpërgjigjeni në mënyrën më pasive të mundshme – thjesht duke mos na vizituar – dhe duke falimentuar kështu arrogancën e një pjese të bregdetit shqiptar, si dhe duke dëmtuar lehtas edhe ekonominë e Shqipërisë në mënyrë që të ketë reflektim.
Sepse ne jemi popull i çuditshëm, që gjatë kemi qëndruar në diktaturën e tmerrshme të vetes, ndaj respektojmë vetëm forcën, nderojmë vetëm autoritetin, kuptojmë vetëm gjuhën e agresionit. Në emër të patriotizmit, duhet të na ushqeni këtë ilaç, në mënyrë që të na shpëtoni ne nga vetja dhe veten tuaj nga ne.
Dikush mund të thotë që nuk vlen të ndëshkohet një popull për gabimet e një pakice. E vërtetë, por ku ishte ky popull kur u vendos tarifa? Ku ishte kur hyri në fuqi? Sa prej Durrësit, Tiranës apo Vlorës shkuan t’u bashkohen protestave të banorëve të Kukësit? Sa bënë diçka kurdo dhe kudo? Ndaj, ne meritojmë gjithçka.
Kështu, kur në fillim të vitit që vjen të paraqiten statistikat për turizmin e Shqipëri dhe të rezultojë që vizitorët nga Kosova kanë qenë më pak se 800 mijë vetë, që të ardhurat nga turizmi kanë rënë me rreth 20 për qind, dhe që marifetçinjtë e vegjël në zonën e plazheve qendrore-veriore kanë falimentuar si mizat, vetëm atëherë do mësojmë t’ju respektojmë.
Shkoni në Ulqin ku ka gjithashtu shqiptarë, dhe ku besoj trajtimi është më i mirë se në Shqipëri. Ndëshkojeni arrogancën dhe arbitraritetin e këtij vendi për një vit që t’i vijnë mendtë për shumë të tjerë. Një sakrificë e vogël por me përfitime të mëdha dhe afatgjata.
Sigurisht që ‘patriotët’ e kurdisur nga zyrat përkatëse qeveritare, analistët e ulluqeve dhe folklorikët prozaikë që vërtisin kujtime nga ujërat e zeza ku janë larë pa e ditur, do nxitojnë ta quajnë tradhti kombëtare këtë ide. Por s’prish punë se tashmë na është trashur lëkura me akuza nga ata që e shesin atdheun për ndonjë honorar apo më keq, për ndonjë rrahje supesh.
Ndaj, duhet bërë gjëja e duhur. Bojkotojeni Shqipërinë këtë vit, në mënyrë që të gjithë këta mosmirënjohës nga kjo anë e kufirit, vitin që vjen t’ju shtrojnë qilimat e kuq dhe në nderin tuaj të derdhin rrugëve shampanjë dhe ahengje.
Le të vuajmë të gjithë nga pak sot që të mësojmë të respektohemi më shumë nesër. / Telegrafi / KultPlus.com